Presidentja e Republikës së Kosovës dhe ai i Republikës së Malit të Zi, Milo Gjukanoviq - 18.05.2022

Gjukanoviq për demarkacionin: Do t’i krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka folur për çështjen e demarkacionit dhe ka thënë se do të ju përmbahen dokumenteve të nënshkruara.

Gjukanoviq ka thënë se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacionin do t’i krijohen kushtet e domosdoshme për korrigjime.

“Jam mëse i sigurt se do t’u përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacionin do t’i krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjimet për të cilat do të pajtohemi, e që kontribuojnë që ky kufi të jetë i logjikshëm, të jetë ashtu siç duhet të jetë e të mos shërbej si burim i mosmarrëveshjeve e rrezikimi të marrëdhënieve tona”, ka thënë ai.

Gjukanoviq në konferencë pas takimit me presidenten Osmani ka përmendur marrëveshjet e nënshkruara për këtë çështje në vitin 2015 dhe 2018.

“Kemi marrëveshjen e nënshkruar në 2015 në Vjenë, dy presidentet në 2018 në Podgoricë kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët ku kanë precizuar mundësitë e caktuara për punën e komisionit të përbashkët dhe ndërkohë është ratifikuar marrëveshja për kufirin në të dy parlamentet. Mendoj që kjo çështje mund të konsiderohet probleme vetëm për dikë që dëshiron të krijoj probleme, ne nuk dëshirojmë probleme në asnjë nga adresat tona”, ka thënë Gjukanoviq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka folur për deklaratën e përbashkët të Presidentit Thaçi dhe Vujanoviq që parashikohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit.

Ditë më parë, Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë që demarkacioni mes Malit të Zi dhe Kosovës ka marrë fund.

Kështu i është përgjigjur Abazoviq kërkesës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me shqyrtimin e demarkacionit.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë Abazoviq për Klan Kosova.

Deklarata e përbashkët mes presidentit të Kosovës dhe Malit të Zi e miratuar katër vjet më parë, parashikon ratifikim të marrëveshjes së demarkacionit dhe mundësi për korrigjim të saj.

Në deklaratën e përbashkët të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi Filip Vujanoviq, parashikohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit dhe pastaj ekziston si mundësi korrigjimi i tij.

Në deklaratë thuhet se pas ratifikimit do të formohet një trup i përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare.

Grupi, sipas deklaratës ka për detyrë t’i evidentojë mosmarrëveshjet eventuale dhe të bëjë korrigjimet në drejtim të sektorëve të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.

Deklarata për Demarkacionin Thaçi-Vujanoviq (Foto)