Foto: KALLXO.com

Gjobitet avokati që kishte dërguar praktikantin për përfaqësim në seancën për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Gjykata e Prishtinës ka gjobitur me 350 euro avokatin Dejan Vasiq lidhur me ndodhinë e në seancën e djeshme (12.06.2024), kur praktikanti i zyrës së tij kishte përfaqësuar të akuzuarin, Dragisha Markoviq, në gjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“I shqiptohet dënim avokatit Dejan Vasiq në vlerë prej 350 euro. Kjo gjobë vjen si rrethanë e veprimeve të seancës së kaluar dhe nga vetë deklarimi i avokatit që e bëri në seancën e sotme. Gjykata nga shuma që mund të shqiptohet deri në 1 mijë euro konsideroi që gjoba prej 350 euro do ta arrijë efektin e saj”- tha kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj.

Para shqiptimit të dënimit, avokati Dejan Vasiq deklaroi se për rastin e djeshëm gabimi është i tij pasi që kishte menduar se vepra penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij është e dënueshme deri në pesë vite duke menduar se praktikanti i zyrës së tij mund ta bëjë përfaqësimin.

“Unë dje kam bërë një gabim. Unë kam menduar që vepra penale është e dënueshme deri në 5 vite dhe praktikanti im ka mundur të më zëvendësojë, por unë e pranoj që ai nuk ka mundur të më zëvendësojë në seancën e djeshme dhe është ekskluzivisht gabimi im që seanca e djeshme ka dështuar. Unë do e pranoj vendimin e Gjykatës pa asnjë lloj ankese”- tha Vasiq.

Në këtë rast gjyqësor të akuzuar janë Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq.

Pas dënimit të avokatit, gjyqtari i çështjes, Valon Kurtaj, e pyeti të akuzuarin Rade Basara nëse qëndron në tërësi pranë deklarimeve që i kishte dhënë gjatë seancës së djeshme më 12.06.2024, kur e ka dhënë mbrojtjen si i akuzuar.

Basara deklaroi se nuk qëndron prapa deklaratave të ditës së djeshme, duke dhënë si arsye gjendjen e tij shëndetësore si shkak që tash e tutje do të vazhdojë të mbrohet në heshtje.

I akuzuari Basara më 12.06.2024 kishte vazhduar me dhënien e mbrojtjes për rreth dy orë, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, prokurorit dhe të trupit gjykues.

Pas marrjes së mendimit edhe nga prokurori Burim Çerkini, Basara tha se nuk ka pasur presion, shantazh ose diçka të tillë lidhur me këtë vendim të tij.

Basara tha se qëndron në tërësi pranë deklarimeve që i kishte dhënë në fazat hetimore dhe prapa deklarimeve që i kishte dhënë në seancën e datës 11.06.2024 kur kishte filluar të japë mbrojtjen e tij.

Pasi Basara deklaroi se tash e tutje do të mbrohet në heshtje, sikurse kishin vendosur edhe Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, seanca e sotme përfundoi, duke kaluar në fazën e dhënies së fjalëve përfundimtare.

Pasi rasti ndodhet në fazën e dhënies së mbrojtjes, Basara kishte zgjedhur mundësinë që të përgjigjet në të gjitha pyetjet e parashtruara nga palët, qoftë të prokurorisë, trupit gjykues dhe avokatëve të të akuzuarve të tjerë.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.