Gjeorgjia e paralajmëron Kievin të mos përzihet në politikën e saj të brendshme

Kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili i ka thënë udhëheqjes politike të Ukrainës që të mos përzihet në politikën gjeorgjiane.

Kritikat e kryeministrit Garibashvili vijnë pasi udhëheqësit politikë ukrainas shprehën mbështetjen e tyre për protestuesit në Tbilisi.

Garibashvili i përshkroi komentet si një “ndërhyrje të drejtpërdrejtë” në politikën e brendshme dhe u tha homologëve të tij ukrainas që “kujdesuni për veten dhe vendin tuaj, dhe ne do të kujdesemi për vendin tonë”.

Protestat në vend shpërthyen më 7 mars, kur ligjvënësit e Parlamentit gjeorgjian morën parasysh këtë ligj.

Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilisi, për të natën të tretë me radhë, pavarësisht se partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, u zotua se do të tërheqë Ligjin kundërthënës për “agjentë të huaj” nga Parlamenti.

Protestuesit më 9 mars u mblodhën jashtë Parlamentit, ku valëvitën flamujt të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian dhe brohoritën slogane kundër Qeverisë dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ligji i propozuar, i cili u mbështet nga partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, dhe u miratua me nxitim në leximin e parë, kërkonte që organizatat e shoqërisë civile që marrin mbi 20 për qind të financimit të tyre nga burime të huaja të etiketohen si “agjentë të huaj”.

Më 10 mars, ligjvënësit gjeorgjianë kanë votuar për të anuluar projektligjin për “agjentët e huaj”, një projektligj që do të kishte kufizuar ashpër aktivitetin e grupeve të shoqërisë civile dhe mediave, pas tre ditësh protestash të dhunshme, mes akuzave se ligji pasqyron legjislacionin rus dhe mund ta shtyjë vendin drejt autoritarizmit.

Parlamenti i Gjeorgjisë anulon projektligjin për “agjentët e huaj”