Ilustrim

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vend.

Në Prishtinë gruaja ka denoncuar bashkëshortin se kishte ushtruar dhunë psikike dhe kishte kanosur atë.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq në Fushë Kosovë, dje gjatë orëve të pasditës djali kishte rrahur babin. Rastin në Polici e ka raportuar viktima ndërsa rasti është duke u hetuar.

Në Prizren janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në njërin rast, një grua ka raportuar se para dy dite ishte sulmuar fizikisht nga burri. Për këtë viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër nëna ka raportuar dy djemët e saj pasi që pas një mosmarrëveshje ata kanë sulmuar nënën duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë mbajtur gjashtë orë në stacionin policor dhe pastaj janë liruar në procedurë të rregullt.

Edhe një rast i dhunës në familje është raportuar në Istog. I dyshuari mashkull dyshohet se ka sulmuar fizikisht gjyshen e tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.

Është arrestuar edhe një burrë në Gjakovë dje rreth orës 18:00 pasi që i njëjti e kishte keqtrajtuar një grua.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe bashkë më fëmijën e saj janë strehur në shtëpi të sigurt.

Më vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.