Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Nuk mund të sillet Edi Rama me Kosovën siç sillet përfaqësuesi i BE-së

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për raportet mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, pas anulimit të mbledhjes së përbashkët dhe dërgimit të draftit për Asociacionin në kancelaritë europiane nga Edi Rama.

Gërvalla u shpreh se kryeministri i Shqipërisë nuk mund të sillet me Kosovën si i dërguar i Bashkimit Evropian.

Sipas saj, Kosova nuk e sheh Shqipërinë si pjesë të skenës ndërkombëtare, por si ‘shtetin motër’.

“Nuk mund të sillet Rama me Kosovën siç sillet përfaqësuesi i BE -së. Ne kemi qytetarë në të dyja anët e kufirit dhe jo vetëm duhet të forcojmë bashkëpunimin por mund të bëhemi shembulli më i mirë. Nuk i takon as kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministrave të vendeve të tjera fqinje të na tregojë ku duhet të qëndrojnë kryetarët e komunave të zgjedhur më votë”- tha Gërvalla në një intervistë për Euronews al.

Sipas Gërvallës, kontributi duhet dhënë duke biseduar së bashku për të gjetur zgjidhje.

“Jemi mirënjohës për ata që përpiqen të kontribuojnë po kontributi nuk jepet duke anuluar takime apo duke deponuar drafte në Berlin e Francë, kontributi jepet duke u ulur së bashku dhe duke gjetur zgjidhje që funksionojnë në Kosovë”- tha Gërvalla.

“Marrëdhëniet i kemi të jashtëzakonshme. Shqipëria dhe Kosova nuk janë ndërkombëtarë mes vete”- shtoi ajo.

Prej fillimit të tensioneve në veri të Kosovës, të cilat nisën në maj të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë i zëshëm në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për shtendosjen e situatës.

Rama më 8 qershor ka thënë se ua ka dërguar një draft për Asociacionin presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ai ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive nga kryeministri Edi Rama ngjalli diskutime për një “krisje të raporteve” mes Ramës e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Më 7 korrik, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar Kosovën, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca por jo me kryeministrin Albin Kurti i cili nuk konfirmoi takimin.

Kryeparlamentari Konjufca deklaroi se ajo se çka ka ndjerë Kosova me anulimin e mbledhjes së dy qeverive ka qenë “lëndim”.

Konjufca tregon pse Kurti nuk u takua me Ramën: Kjo do të rregullohet, ata do takohen së shpejti