Gaza - Të vdekur gjithandej, civilët po i përdorin duart e tyre për t’i nxjerrë të gjallët dhe të vdekurit nga rrënojat
Edhe para kësaj lufte, Gaza kishte vuajtur gjithmonë nga mungesa e burimeve dhe aftësive në të gjithë sektorët.
Dhe tani, nuk ka makineri të mjaftueshme për t’i larguar rrënojat, për t’i pastruar dhe për t’i nxjerrë njerëzit.
Ekipet e mbrojtjes civile kanë lëshuar lutje urgjente ditët e fundit për të futur makineri për t’i ndihmuar ata në përpjekjet e tyre për t’i shpëtuar civilët e bllokuar nën rrënoja. Ata thonë gjithashtu se rreth 1000 kufoma janë nën rrënoja dhe nuk mund t’i nxjerrin. Ata nuk kanë burime, por nuk kanë as fuqi punëtore për një operacion të tillë.
Njerëzit që shihen duke hequr trupa ose duke u përpjekur të shpëtojnë të tjerët nën rrënoja janë zakonisht civilë që rrezikojnë jetën e tyre dhe përdorin duart e tyre të thata për t’i shpëtuar ata që iu bombarduan shtëpitë.
Ahmad Shaheen, mjek në Gaza e ka përshkruar situatën aktuale këtë mëngjes për faqen e lajmeve të pavarura boshnjake Istraga:
“Situata sa vjen e përkeqësohet. Bombardimet vazhdojnë ende, nuk ndalen. Ata po bombardojnë nga të gjitha anët – nga avionët, deti, toka”, thotë Shaheen.
“Njerëzit [të bllokuar] nën ndërtesat e shembura nuk mund të shpëtohen. I dëgjojmë teksa bërtasin, por nuk mund të bëjmë asgjë. Spitalet janë plot me të plagosur, të vdekur. Nuk ka vend në frigoriferë për t’i vendosur kufomat. Frika nuk mund të përshkruhet”.
“Nuk ka ujë, rrymë. Më e keqe është se nuk ka ujë, as për të pirë e as për t’u pastruar”.
“Katastrofa humanitare” në Gaza ka të ngjarë të ndodhë nëse vazhdojnë sulmet izraelite
Disa organizata palestineze të të drejtave të njeriut kanë mbajtur një konferencë për media në Ramallah, Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe kanë bërë thirrje që sulmet izraelite në Gaza të ndalen.
“Nëse sulmi në Gaza nuk ndalet dhe nëse ndihma humanitare nuk lejohet në orët e ardhshme, ne do të jemi dëshmitarë të një katastrofe humanitare të paprecedentë, tiparet e së cilës kanë filluar të shfaqen”, thotë për Associated Press, Ammar Dëaik, drejtor i përgjithshëm i Komisionit të Pavarur të mandatuar për të drejtat e njeriut.
“Sëmundjet kanë filluar të përhapen dhe dehidratimi ka filluar të përhapet tek fëmijët. Mund të shohim njerëz të vrarë që ndërgjegjja e botës ndërkombëtare, arabe dhe islame nuk mund t’i përballojë”, shton ai.
Shawan Jabarin, udhëheqësi i grupit të të drejtave të al-Haq, thotë se situata në Gaza e ka arritur “nivelin e gjenocidit”.
“Ka krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që po ndodhin dhe ka një vendim zyrtar [izraelit] për të vrarë civilë”, shton ai.
Nuk ka ilaçe kundër dhimbjeve, ka mungesë të ujit dhe ushqimit
Bombardimet izraelite të Rripit të Gazës e kanë kthyer një pjesë të madhe të enklavës së rrethuar palestineze në një grumbull rrënojash, me njerëz në nevojë të dëshpëruar për ujë dhe nevoja të tjera elementare në mes të një bllokadë totale të enklavës.
Njerëzit janë detyruar të hapin puse pranë detit për të marrë ujë pasi Gaza – shtëpia e 2.3 milionë njerëzve – po përballet me mungesë uji dhe ushqimi. Gjeneratorët po i furnizojnë spitalet pasi Izraeli e ka ndërprerë energjinë elektrike pas sulmit të Hamasit që la të vrarë 1400 izraelitë. Spitaleve u kanë mbetur edhe pak orë karburant.
Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës së kaluar është rritur në 71 pas sulmeve në Rafah dhe tri shtëpi të bombarduara në Khan Younis.
Presidenti amerikan Joe Biden do ta vizitojë Izraelin sot ( e mërkurë), ku do ta vë theksin “e drejta dhe detyra” e Izraelit për t’u mbrojtur nga Hamasi.
Të paktën 2,808 njerëz u vranë nga sulmet izraelite në Gaza, një e treta e tyre fëmijë. Më shumë se 1,400 njerëz u vranë në Izrael në sulmin e Hamasit.
Ministri i Jashtëm i Iranit thotë se grupet pro-iraniane në rajon mund të veprojnë paraprakisht kundër Izraelit, madje edhe në “orët e ardhshme”.
Brigadat Al-Qassam të Hamasit thonë se ka deri në 250 robër në Gaza dhe është e gatshme t’i lirojë ata me anëtarë të kombësive të huaja sapo “të lejojnë rrethanat”./Al Jazeera
Përgatiti: Nuhi Shala