Ilustrim

Gati 6 mijë gjoba të shqiptuara gjatë dhjetorit në rajonin e Ferizajt, cilat ishin kundërvajtjet më të shpeshta?

Gjatë muajit të fundit të vitit 2023, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shqiptuar 5906 gjoba në rajonin e Ferizajt për kundërvajtje dhe ka hequr 50 patentë-shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion.

Në muajin dhjetor, më së shumti gjoba në rajonin e Ferizajt janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë, gjithsej 1653 gjoba. Për mospërdorim të rripit të sigurisë janë shqiptuar 592 gjoba kurse 405 të tjera për përdorim të telefonit gjatë vozitjes.

Gjobat për skadim të afatit të regjistrimit të automjetit zënë vendin e katërt, me gjithsej 332 sosh. Për xhamat e errët, vendosjen e foljes ose materialit tjetër, në rajonin e Ferizajt janë shqiptuar 244 gjoba, për drejtim të mjetit pa paten-shofer janë shqiptuar 204 gjoba ndërsa për tejkalim në vijë të plotë, apo vend të ndaluar, 41 gjoba.

Më pas në listë vijnë gjobat për kyçje të parregullt në rrugën kryesore, me gjithsej 21; për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, 11 gjoba; për mjetet pjesëmarrëse në trafik pa sinjalizim të duhur ndriçues, 8 gjoba. Në njoftim thuhet se janë edhe 2395 gjoba të tjera.

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe u kanë bërë thirrje shoferëve që të bëjnë kujdes.

“Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406″ – thuhet në njoftim.