Gashi: Rezultati i Podujevës i pakënaqshëm, duhet bërë analiza për t`i parë problemet

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie ka thënë që në këtë mbledhje kanë diskutuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Temë e diskutimit ishte çështja e ligjit për rimëkëmbje ekonomike, po shpresojmë që brenda javës ky ligj do të kaloj”, tha Gashi.

I pyetur nëse është diskutuar për çështjen e presidentit dhe humbjen e LDK-së në Komunën e Podujevës, Gashi ka thënë se “Nuk pat ndonjë fokus të veçantë në këto tema”.

“Rezultati i Podujevës është jo i kënaqshëm për ne dhe normalisht do të merremi me analiza për të parë se ku janë problemet. Si duket në proces dikund ka ndodhur një shkëputje me elektoratin dhe do të shohim për t`i eliminuar këto probleme”, shtoi ai.

Në rast se nuk arrin marrëveshje për çështjen e presidentit, Gashi ka theksuar se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje.

“Partitë politike duhet të jenë të gatshme për zgjedhje, dhe normalisht edhe ne jemi të gatshëm”, theksoi ai.

Dje në bastionin e LDK-së, Podujevën, në procesin zgjedhorë për kryetar të kësaj komune ka fituar kandidati i LVV-së Shpejtim Bulliqi.

 

Shpejtim Bulliqi fiton Podujevën pa balotazh