Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Qeveria nuk ka arritur ta përmirësojë gjendjen në sektorin e energjisë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se Qeveria e Kosovës as pas një viti nuk ka arritur të përmirësoj gjendjen në sektorin e energjisë.

Gashi kështu ka thënë në seancën e jashtëzakonshme ku po shqyrtohet propozimi për vazhdimin e masave emergjente, teksa ka shtuar se qeveria duhet të japë llogari për rezultatet e tyre.

“Prej një viti qeveria nuk ka arrit të përmirësoj gjendjen në sektorin e energjisë. As nuk është përmirësuar prodhimi, as furnizim, bile ka pasur përkeqësim. Stabilimentet prodhuese nuk kanë shkuar në remont në kohën e duhur dhe ato janë jashtë funksionit. Qeveria duhet të japë llogari para Kuvendit se cilat janë produktet e këtyre masave emergjente”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se e gjendja emergjente shpallet për situatë dhe kohë të caktuar.

“Nëse qeveria konsideron se janë të pamjaftueshme 30 ditë, kërkon dhe 30 ditë tjerë e në maksimum mund të kërkoj 180 ditë sipas ligjit, e sot e kemi mbërri mbi 200 e sa ditë”, ka thënë ai.

Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton sot propozimin e Qeverisë për zgjatjen për 30 ditë të masave emergjente të furnizimit me energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë propozim-vendimin e Qeverisë për zgjatjen të masave emergjente të furnizimit me energji.