Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Frrok Kristaj shpallet fitues i çmimit 'Anton Çetta’

Frrok Kristaj, studiues dhe promovues i trashëgimisë kulturore e shpirtërore, është shpallur fitues i çmimit  “Anton Çetta”.

Këtë çmim Kristaj e mori për punën e bërë gjatë gjithë veprimtarisë së tij mbi gjysmë shekulli në fushën e trashëgimisë kulturore e shpirtërore.

Çmimi Kristajt iu dorëzua nga kryeministri në detyrë, Abdullah Hoti, gjatë një ceremonie që u mbajt sot në Bibliotekën Kombëtare, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se çmimi që ndahet sot lidhet me emrin e një prej personaliteteve që gëzon respektin e të gjithëve.

“Me themelimin dhe ndarjen e këtij çmimi është pasuruar jeta kulturore në Prishtinës, si rrallë më parë, duke pasur parasysh edhe situatën aktuale”, ka thënë ndër të tjerash Hoti.

“Jam i nderuar, me këtë çmim duke pasur parasysh kontributin e Çettës”, ka thënë fituesi Kristaj.

Ndërsa, Ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi është shprehur se ky çmim lartëson edhe më shumë figurën e Anton Çettës.

“E vlerësoj mbështetjen e kryeministrit Hoti në themelimin e këtij çmimi vjetor për figurën e Çettës”, ka thënë Dumoshi.

Studiuesi Arsim Canolli në emër të jurisë ka arsyetuar çmimin e ndarë për Kristajn.

“Mbi gjysmë shekulli Kristaj ka kontribuar në dokumentimin, ruajtjen e dhe promovimin e trashëgimisë kulturore e shiprtërore”, ka thënë ndër të tjerash Canolli.

Çmimi “Anton Çetta” është themeluar në nëntor të 2020-tës nga MKRS.

Nëntori i kaluar ishte shpallur  “Muajit i Anton Çettës” nga Qeveria e Kosovës për të kujtuar 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së Çettës si dhe 30 vjetorin e fillimit të aksionit për pajtimin e gjaqeve.