Ceremonia e Diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës. FOTO: Arjana Berisha/KALLXO.com

Frikësimi i kadetëve policorë serbë për t'u dorëhequr, përmendet në Raportin e Progresit të Komisionit Europian

Teksa flitet për dorëheqjen e policëve serbë nga Policia e Kosovës, e për punën që është bërë e vazhdohet të bëhet për zëvendësimin e tyre, Komisioni Europian përmend edhe frikësimin që iu është bërë disa prej kadetëve të PK-së.

Sipas këtij raporti, pjesëtarë të Policisë që i takojnë komunitetit jo-shumicë janë frikësuar e më pas edhe kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

“Është shqetësuese dorëheqja e disa kadetëve të policisë të vendosur rishtazi nga komunitetet jo-shumicë pas frikësimit” – thuhet në këtë raport.

KALLXO.com kishte raportuar në korrik për këtë lloj frikësimi që iu ishte bërë personave në fjalë.

“Kuptohet që lista nuk është e plotë, e a do ta publikojmë që i tërë opinioni ta kuptojë kush janë të tjerët do të merremi vesh me popullin nga Kosova dhe Metohia” – kjo është një pjesë e cila është shkruar nga një faqe serbe në Telegram e që i referohet një liste prej pesë personave me emra dhe fotografi që së fundmi kanë diplomuar në Policinë e Kosovës dhe kanë nisur punën në këtë institucion.

Këta zyrtarë të rinj policorë u ishin nënshtruar procedurave të konkursit e Akademisë Policore për të marrë këto pozita, të cilat do t’i ushtrojnë tash e tutje.

Në rrjete sociale janë duke qarkulluar fotografi e emra të policëve të rinj nga komuniteti serb që janë bërë pjesë e institucionit kyç të sigurisë, Policisë së Kosovës.

Në rrjetin social Telegram kishte nisur shënjestrimi ndaj disa prej pjesëtarëve të rinj të Policisë, duke thënë se ky veprim nga ana tyre nuk është i mirë pasi nga ky institucion po arrestohen qytetarët serbë.

“Deri sa vëllezërit tanë i kanë arrestuar, rrëmbyer, dhe rrahur në kazamatet shqiptarski, këta kanë qenë në trajnim në jugun e Kosovës dhe Metohisë në Vushtrri” – thuhet tutje në njoftimin e shpërndarë në Telegram, duke iu referuar arrestimeve të pesë të dyshuarve për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

“Kuptohet që lista nuk është e plotë, serbët nga Kosova dhe Metohija mirë e dinë që në këto ditë “të jesh apo të mos jesh” e kanë shitur zotin për darkë, e a do ta publikojmë që i tërë opinioni ta kuptojë kush janë të tjerët do të merremi vesh me popullin nga Kosova dhe Metohia”- thuhet në një nga shkrimet që janë shpërndarë në Telegram, duke u bashkëngjitur edhe emrat e fotografitë e disa prej policëve të rinj.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, në një bisedë me KALLXO.com pati thënë se zyrtarët janë ndarë për të punuar në pikat e stacioneve policore në katër komunat me shumicë serbe.

Madje në këto komente e shkrime që po qarkullojnë në Telegram, thuhet edhe se policët e rinj nga komuniteti serb, stërviteshin nga Policia e Kosovës për t’u bërë pjesë e këtij institucioni derisa në anën tjetër PK kryente arrestimet dhe, siç pretendojnë ata, “kidnapimet e vëllezërve serbë”.

Nga tri konkurse të cilat Policia e Kosovës kishte hapur në tetë muajt e fundit dy prej tyre ishin specifikisht për policë të rinj të cilët do të shërbenin në Drejtorinë e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Këto konkurse ishin shpallur pasi rreth 600 pjesëtarë të Policisë, me grada e pozita, të ndryshme dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.

Përveç publikimit të identitetit të policëve të rinj, në  Telegram nga një faqe serbe u shpërnda  edhe një postim i kryeministrit Kurti në Twitter për nisjen e punës së zyrtarëve policorë në katër komunat në veri.

Faqet serbe i vendosin si shënjestër qytetarët e komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës