FOTO - Komuna e Drenasit me aksion për largimin e deponive të mbeturinave

Komuna e Drenasit që nga java e kaluar ka nisur largimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe atyre inerte nëpër disa lokacione.

Ky aksion ka filluar pasi qytetarët kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre për këto deponi.

Të premten, Komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci njoftoi se kanë larguar mbeturinat e deponisë inerte në fshatin Llapushnik.

Aksioni për largimin e tyre në pjesën hyrëse dhe jashtë rrethojës së deponisë inerte në fshatin Llapushnik është zhvilluar më 17 maj dhe 21 maj.

Deponia ilegale ne Llapushnik – Foto: Komuna e Drenasit

“Kjo deponi, është caktuar nga Komuna e Drenasit për hedhjen e mbeturinave inerte nga qytetarët, në mënyrë që të parandalohet krijimi i deponive ilegale me përmbajtje të mbeturinave inerte-ndërtimore. Vendi i caktuar (nën rrethojë) për hedhjen e mbeturinave ndërtimore gjendet në fshatin Llapushnik. Me qëllim të parandalimit të paraqitjes së deponive ilegale me përmbajtje të mbeturinave të ndërtim-demolimit, Komuna e Drenasit ka caktuar vendin për hedhjen e këtij lloji të mbeturinave nga operatorët dhe qytetarët”, thuhet në njoftimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Kurse, së fundmi më datën 26 maj, kjo Komunë njoftoi se kanë kryer largimin e deponisë ilegale në zonën kadastrale Poklek-Korroticë e Poshtme.

Ky aksion u zhvillua afër tri jave pasi një qytetar raportoi publikisht për vendndodhjen e kësaj deponie, ku bashkangjiti edhe disa pamje.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë është duke vazhduar aktivitetet për largimin e deponive ilegale.  Aktivitet e kësaj drejtorie janë duke vazhduar për të dytën ditë për largimin e deponisë ilegale në zonën katastrale, Poklek-Korroticë e Poshtme.  Këto aktivitete do të vazhdojnë me punë intensive në hapësirat publike, duke përfshirë gjithë territorin e Drenasit.Të ruajmë ambientin që na rrethon. Mbrojtja e tokës dhe mjedisit nuk është çështje dite, por e vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e së mërkurës së Komunës së Drenasit.

Deponia në Korreticë – Para dhe Pas