Largohet deponia ilegale e mbeturinave në Bërnicë

Komuna e Prishtinës ka larguar deponinë ilegale të mbeturinave në fshatin Bërnicë.

Sipas Drejtorisë së Shërbimeve Publike, janë larguar 45,840 m3 mbeturina, një nga deponitë më të mëdha në komunën e Prishtinës.

“Filluam largimin e deponisë ilegale në Bernicë e cila kishte 45,840 m3 mbeturina. Kjo është njëherësh ndër deponitë më të mëdha në Prishtinë”, thuhet nga komuna.

Tutje, potencohet se në dy vitet e fundit komuna kanë larguar disa deponi me përmasa të ngjashme.

“Dy vitet e fundit kemi larguar edhe deponi tjera të përmasave të ngjashme, si atë në Zonën Industriale (afër Bankës Botërore), Fushën e Pajtimit, Lebanë, Hajvali dhe afër Ambasadës Amerikane”,  thuhet tutje nga drejtoria e shërbimeve publike.

Sipas tyre, nga 20 deponi të mëdha në vitin 2019, tani janë 6, në mesin e tyre kjo në Bërnicë.

“Në vitin 2019 kemi pasur 146 deponi ilegale, nga to 20 të mëdha. Në 2021 e kemi zvogëluar numrin në 6, ndër to më e madhja është kjo në Bernicë të cilën po e pastrojmë tani”, thuhet nga ana e komunës.

Pas raportimit të KALLXO.com, komuna kishte larguar deponinë e mbeturinave afër ambasadës amerikane në lagjen “Arbëria”, ku më pas edhe kishte rrethuar vendin për të ndaluar qasjen në lokacion.

FOTO: Medina Braha/Facebook
FOTO: Medina Braha/Facebook
FOTO: Medina Braha/Facebook

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.