Foto: REL

Foshnja e lindur në javën e 26-të, pas dy muaj trajtimi në Klinikën e Neonatologjisë lirohet në gjendje të mirë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për një rast të rrallë të një foshnje që kishte lindur në javën e 26-të dhe nën peshë.

Foshnja pas trajtimit shëndetësor mbi dy muaj në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Hajrije Ismaili, përmes një videomesazhi ka thënë se me punën e tyre synojnë të ulin shkallën e vdekshmërisë të të porsalindurve.

“Së fundi e kemi pasur një foshnje e cila ka lindur 26 javë me një peshë të ulët në lindje, edhe pas qëndrimit në klinikë për dy muaj është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”, ka deklaruar Ismaili.

Sipas saj, në vitin 2021 në këtë klinikë janë trajtuar 8,879 foshnja të porsalindura ndërsa në vitin 2022 janë trajtuar 9,554 foshnja.