Flet avokati i njërit prej policëve të arrestuar për ryshfet

Avokati i njërit prej policëve të arrestuar për ryshfet, është deklaruar në lidhje me rastin e klientit të tij.

Agon Rrecaj, avokat i zyrtarit policor të dyshuar, Artan Thaqi ka thënë për KALLXO.com, se klienti i tij dyshohet për kryerjen e disa veprave penale: Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal te organizuar; Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar; Marrje e Ryshfetit.

“Klienti im është Artan Thaqi, zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare në Gjakovë. Sipas Prokurorisë Speciale dyshohet për kryerjen e disa veprave penale: Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar; Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar; Marrje e Ryshfetit”, tha ai.

Sipas tij, Thaqi konkretisht dyshohet për marrje të ryshfetit me qëllim që t’iu mundësojë qytetarëve të ndryshëm kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.

“Kjo është në përgjithësi ajo për çka dyshohet klienti im”, tha ai për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme, ekipet e IPK kanë sjellë nga qendrat e mbajtjes 48 zyrtarët policorë dhe dy doganierët në Gjykatën e Prishtinës ku edhe po mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë.

KALLXO.com raportoi se zyrtarët policorë kufitarë dyshohet se përfituan qindra euro ryshfet gjatë periudhës sa u zhvilluan masat e fshehta të hetimit.

Ryshfeti arrin shifrat deri në 400 euro që kanë marrë në një rast të vetëm.

Paratë u dhanë kryesisht për lejim qarkullimi të automjeteve në mungesë të dokumentacioneve, për lejim të kontrabandës me mallra të ndryshme si dhe për veprimtari të tjera ilegale.

IPK siç mëson KALLXO.com ka siguruar qindra pamje të zyrtarëve policor duke marrë ryshfet për lejimin e veprimtarive ilegale në pikat kufitare Qafë e Prushit dhe Qafë Morinë.

Dosjet korruptive të zyrtarëve policor i ka mbledhur IPK gjatë hetimit, ndërsa pamjet do të përdoren për të faktuar veprat penale që dyshohet se kanë kryer zyrtarët policorë.

48 policët e arrestuar dalin para Gjykatës – Pamje