Foto: Universiteti i Prishtinës/Facebook

Flamuri i komunitetit LGBTQI+ vendoset para Rektoratit, Universiteti i Prishtinës shënon "Javën e Krenarisë"

Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se për të shënuar “Javën e Krenarisë” ka ngritur flamurin LGBTQI+ në mjediset e Rektoratit të Universitetit.

“Ky aktivitet përfaqëson përkushtimin e palëkundur institucional ndaj gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe drejtësisë sociale, vlera këto që përfaqësojnë idealin e institucionit dhe të ardhmes që synohet të modelohet”- thuhet në njoftimin e UP-së në Facebook më 07.06.2024.

UP-ja thotë se mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë, shoqëri që sfidon paragjykimet dhe promovon një mjedis, ku çdo zë dëgjohet dhe çdo këndvështrim vlerësohet.

Në fund UP-ja uron komunitetin LGBTQI+, me premtimein se do të punojë drejt një të ardhmes, ku të gjithë mund ta jetojnë të vërtetën e tyre hapur dhe me krenari.

Java e Krenarisë ka nisur që nga 03.06.2024. Që nga ajo ditë deri në përfundim të Javës së Krenarisë do të shënohen aktivitete nën moton “Kemi qenë dhe do t`jemi”.

Parada e Krenarisë në Prishtinë do të mbahet më 08.06.2024. Në të njëjtën ditë do të mbahet edhe Koncerti “Prishtina Pride:Krejt bashkë”, në të cilën do të performojë këngëtarja Vesa Luma.