Fjalët prekëse të vajzës së rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku

Arbenita Bunjaku, vazja e rreshterit të vrarë  Afrim Bunjakut ka mbajtur fjalim në mbledhjen komemorative në nderim të policit të rënë në detyrë.

Me lot në sy, vajza Arbenita tha se janë krenar me punën dhe veprën e babait.

Ajo tha se mundin dhe punën që e ka bërë rreshteri Afrim Bunjaku do ta vazhdoj familja.

“Heroi im, babai im. Sa e vështirë e kam të shkruaj për ty. Para kohe mbeta jetim. Kurrë nuk e kam menduar ikjen tënde. Na ke lënë një plagë të madhe në zemrat tona. Babë. Nuk e di si të jetoj pa ty, pa heroin tim. Të gjitha na mësove, por jo si të jetojmë pa ty. Babai ishte njëri i dashur për familjen, shoqërinë dhe për punën, ku edhe flijoi jetën për këtë vend. Ne dhe Kosova të gjithë jemi krenar me ty. Mundi dhe punën që e kë bërë për këtë vend, të premtoj që do të jemi krenar me ty dhe do të ndjekim të gjithë rrugën tënde. Me mall dhe me dhimbje do të kujtojmë të gjithë”- tha ajo.

Me vendim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dita e hënë, 25 shtator 2023, është shpallur ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit dyshohet se janë arratisur.