Festa e Kurban Bajramit, Konjufca bën thirrje për zemërgjerësi ndaj atyre që nuk kanë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka uruar gëzim, shëndet, paqe, mirësi e begati për nder të festës së Kurban Bajramit.

“Sakrificë dhe solidaritet, këto na i sjell ndërmend Kurban Bajrami si falënderim për Krijuesin. Në këtë frymë, të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë të bekuar! Uroj që në këtë ditë të shenjtë dhe përgjithnjë, në shpirtin e secilit të frymojë mirësia e përkujdesja, mirënjohja për çka kemi dhe zemërgjerësia ndaj atyre që nuk kanë” – ka shkruar Konjufca në Facebook.

Kryekuvendari thotë se mesazhi i kësaj feste, na fton të reflektojmë për të kuptuar vlerën e sakrificës si themel të shoqërisë.

“Kjo ditë na tregon se shtrirja e dorës ndaj atyre më në nevojë mes nesh, e zgjeron shpirtin dhe ai gjen vetveten te kjo përfshirje barazitare, përkundër përjashtimit” – ka thënë ai.

Kurban Bajramin e kanë uruar edhe dy krerët e tjerë shtetërorë, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani.