Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Ferizaj, dërgohen në burg dy të dyshuarit për dhunimin e dy vajzave të mitura

Një ngjarje e rëndë është raportuar të ketë ndodhur mes datave 7 dhe 8 qershor në Ferizaj. Dy vajza të mitura, 14 dhe 16-vjeçare, pretendohet që janë dhunuar seksualisht nga dy burra të moshës madhore.

Sipas Gjykatës vajzat janë dhunuar në hotele të ndryshme nga të dyshuarit S.A. dhe I.Sh.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar faktin se i pandehuri S.A. dyshohet se më 7.6.2021 dhe 8.6.2021, në kohë të pacaktuar, në një hotel në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – të miturën e moshës nën 14-vjeçe edhe pse e ka ditur se e dëmtuara është e moshës nën 14 vjet ka kryer akt seksual me të.

Ndërsa dyshuari I.Sh. dyshohet se më 7.6.2021 dhe 8.6.2021, në kohë të pacaktuar në një hotel në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht një vajzë nën 16-vjeçe.

“Edhe pse vepra penale e dhunimit nuk është kryer me detyrim, por duke pasur parasysh moshën e të dëmtuarave, e konform nenit 225 të KPRK-së shprehja “pëlqim” nënkupton pajtimin e vullnetshëm të personit që ka arritur moshën 16 vjet, për të kryer aktin seksual, andaj konsiderohet se e dëmtuara nuk ka dhënë pëlqim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit as dëshmitarët tjerë të mundshëm dhe të dëmtuarat, andaj mbi këto arsye gjykata vlerëson se po të gjendeshin në liri mund të ndikojnë tek të njëjtit në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, andaj mund të pengohet rrjedha e procedures penale”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykates.