Ferat Shala i PDK-së: Qeveria po ndërhynë me punësime në institucionet e pavarura

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka komentuar konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës ku u punësuar qindra persona.

Deputeti Shala në fjalimin e tij në Kuvend tha se kanë pritur më shumë zhvillim në vitin e parë të qeverisë, por sipas tij, ajo që po shohin, janë ndërhyrjet në institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike.

“Fatkeqësisht rezultatet e vetme janë ndërhyrjet në institucionet e pavarura dhe në ndërmarrjet publike. Shembull ZRrE, KOST, KEK e kështu me radhë”, tha ai.

“Ndërhyrjet e fundit në ndërmarrjen më strategjike të vendit KEK-un, duke vendosur menaxhment tipik të dëgjueshëm politik dhe jo profesional e duke vazhduar me rekrutime dhe punëtorë mbi 100 % baza partiake dhe familjare, është jashtëzakonisht shqetësuese është për institucionet e shtetit dhe për shoqërinë tonë”, tha Shala.

Deputeti Shala tha se kjo është lëndë për drejtësinë.

“Sot kryeministri do të duhej t’i vizitoj punëtorët dhe t’u kërkonte falje punëtorëve për premtimet që u kishte dhënë. Do të duhej të kërkonte falje për gjitha shkeljet që po ndodhin në menaxhimin e KEK-ut për anashkalimin e ekspertëve vendor dhe për angazhimin e ekspertëve të huaj duke i paguar shtrenjtë ata”, tha Shala.

Ndryshe, shpallja e rezultateve për 128 persona në konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe raportimi nga disa portale lidhur me punësimin e tyre ka bërë që Prokuroria e Prishtinës të nisë hetimet.

Prokuroria kishte thënë se këto hetime kanë nisur pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit.