Prokuroria nis hetimet rreth punësimeve në KEK

Shpallja e rezultateve për 128 persona në konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe raportimi nga disa portale lidhur me punësimin e tyre ka bërë që Prokuroria e Prishtinës të nisë hetimet.

Prokuroria ka thënë se këto hetime kanë nisur pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit.

Hetimet i ka nisur Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion gjatë ditës së djeshme.

“Prokuroria më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.

Lidhur me raportimet e mediave ka reaguar sot gjatë ditës edhe vetë KEK.

KEK përmes një komunikate për media ka thënë se po përcjell me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.

“Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit. Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës sot gjatë ditës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për nepotizëm duke thënë se që në muajt e parë të qeverisjes se kësaj partie, institucionet e Kosovës janë vërshuar me punësime të paligjshme.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për media tha se në konkursin e fundit në KEK aplikuan 4,668 persona dhe sipas saj, u pranuan 128 – të gjithë familjarë e militantë të LVV-së.

“Rasti i fundit eklatant është konkursi i KEK-ut ku aplikuan 4668 ndërsa u pranuan 128 të gjithë familjarë e militantë të VV. Kjo është afera super pronto e Vetëvendosjes, pra bëhet fjalë për mbi 4500 persona që ju mohua e drejta e punës vetëm për shkak të përkatësisë së tyre partiake”, ka thënë Halimi.

Ndërsa, pak orë më vonë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se nesër do të dorëzojnë kallëzim penal lidhur me këtë çështje.

“Kemi ftuar dhe menaxhmentin e KEK-ut të anulojë procesin në fjalë e t’i suspendojë të gjithë anëtarët e Komisionit Vlerësues; dhe të rinisë kështu një proces të ri, të hapur dhe mbi të gjitha të drejtë”, ka thënë Abdixhiku.