Federata Evropiane e Gazetarëve dënon sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com në Mitrovicë të Veriut

Federata Evropiane e Gazetarëve ka dënuar sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com në Mitrovicë të Veriut në mëngjesin e të premtes.

Federata po ashtu i bëri thirrje policisë që të ofrojë kushte të sigurisë për gazetarë që raportojnë nga ajo zonë.

“Dy gazetarë në Kosovë janë sulmuar gjatë vozitjes nga persona të maskuar në Mitrovicë të Veriut, i bashkangjitemi Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në dënim të fuqishëm të këtij sulmi. Policia duhet të ofrojë kushtet e duhura të sigurisë për gazetarët që raportojnë nga kjo pjesë e vendit”- thuhet në reagimin e tyre.

 

Makina me të cilën po udhëtonin ekipi i KALLXO.com, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj është sulmuar mëngjesin e sotëm nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.

Ekipi i cili po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut është sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po ashtu ka dënuar sulmin ndaj ekipit të Kallxo.com.

Nga mbrëmë Mitrovica e Veriut është në tensione pas vendosjes së pjesëtarëve të policisë në këtë zonë.

https://kallxo.com/lajm/sulmohet-ekipi-i-kallxo-com-ne-mitrovicen-veriore-pamje/