Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës "Fehmi Agani", Foto: KALLXO.com

Fakulteti i Mjekësisë në Gjakovë lejon studentët pa maska (FOTO)

Në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, studentët janë lejuar të hynë pa maska mbrojtëse në hapësirën e brendshme të këtij fakulteti.

Dje, ekipi i KALLXO.com ka vizituar hapësirat e këtij fakulteti dhe ka hasur në disa studentë, të cilët kanë nuk kanë pasur fare të vendosura maska mbrojtëse.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Fakulteti i Mjekësisë se pse janë lejuar studentët pa maska brenda objektit në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës, Idriz Berisha ka thënë se ai ka dhënë urdhër që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Unë dje isha dy herë në fakultet dhe kam qëndruar gjatë aty, nuk kam takuar person pa maska. Ndoshta prezenca ime aty ka ndikuar që studentët dhe rojet të jenë më të kujdesshëm”, ka potencuar Berisha.

18.01.2021, Foto: KALLXO.com

KALLXO.com që nga muaji nëntor është duke monitoruar respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 nëpër 7 universitetet publike të Kosovës.

Gjatë vizitës gjatë ditës së djeshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës, KALLXO.com ka gjetur se shenjëzimi për ruajtje të distancës është vendosur vetëm në hyrje të Fakultetit ndërsa nuk ka shenjëzim nëpër klasa dhe në korridore.

Gjatë monitorimit është parë që dezinfektuesit janë vendosur në secilin kat të Fakultetit të Mjekësisë ndërsa posterët me udhëzimet për masat mbrojtëse janë vendosur në hyrje të Fakultetit dhe brenda objektit.

Edhe tualetet e Fakultetit të Mjekësisë kanë qenë të pajisura me sapun për duar dhe letër higjienike.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.