Ilustrim

EULEX: Për 7 muaj, asnjërit prej të miturve nga burgu i Lipjanit nuk iu aprovua kërkesa për lirim me kusht

Të enjten, Misioni i EULEX në Kosovë ka prezantuar një raport monitorues për aplikimin e Lirimit me Kusht në Kosovë.

Gjatë periudhës mars – shtator 2022, Njësia Korrektuese e EULEX-it, ka mbledhur të dhëna dhe ka kryer vizita monitoruese në gjashtë institucione të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku ka pasur më shumë kërkesa vjetore për lirim me kusht.

Institucione e monitoruara kanë qenë: Qendra Korrektuese Dubravë, Qendra Korrektuese Smrekovnicë, Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan, Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan, Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë dhe Burgu i Sigurisë së Lartë Podujevë.

Lars-Gunnar Wigemark, shefi i EULEX në Kosovë, ka thënë se qëllimi këtij raporti është ofrimi i një pasqyrë reale të lirimit me kusht në Kosovë, analizimin e aplikimit praktik të tij, dhe për të sugjeruar hapësira potenciale për përmirësim.

”Koncepti i lirimit me kusht pranon se dënimi si i vetëm nuk dërgon domosdoshmërisht në rehabilitim. Duke u dhënë të burgosurve mundësinë për tu ri-integruar në shoqëri përpara se të kryejnë dënimin e tyre të plotë, lirimi me kusht synon të adresoj çështjet që mund të kenë kontribuar në sjelljen e tyre kriminale” – tha gjatë fjalimit të tij, Wigemark.

Konfernca e EULEX

Sipas tij, ka dy fusha në të cilat duhet kushtuar më shumë vëmendje. Njëra fushë ndërlidhet me shkelësit e mitur, të rinj, ku në raste të tilla lirimi me kusht duhet të përdoret sa më shumë dhe të sigurohet sa më herët.

Referuar këtu, Rregullave të Pekinit, sipas të cilave, në rastin e të miturve, privimi nga liria duhet të jetë sa më i shkurtë që është e mundur dhe se lirimi me kusht duhet të përdoret në masën më të madhe të mundshme dhe të jepet sa më herët.

Ndërsa, fusha e dytë e cila është prioritare për EULEX, janë gratë e burgosura, ku duhet të merren parasysh nevojat e tyre specifike për integrim.

Ministrja e Drejtësisë – Albulena Haxhiu, ka thënë se lirimi me kusht i të dënuarve nuk është vetëm një proces ligjor, por edhe njerëzor, sepse konsiderohet duke marrë parasysh si sjelljen dhe politikën e të dënuarit, ashtu edhe sigurinë publike.

Ajo ka treguar se gjatë vizitave që kanë pasur në SHKK, një prej ankesave të shpeshta që kanë pranuar kanë qenë vendimet e Panelit për Lirimin me Kusht.

Sipas Haxhiut, këto janë vendime standarde, nuk janë vendime individuale dhe shumica e tyre refuzohen pa treguar arsyen se pse po refuzohen. Ajo tha se, këto vendime duhet të jenë individuale dhe të arsyetuara.

Tutje, ajo ka theksuar se rastet e lirimit me kusht janë lehtësim për institucionet, pasi që zvogëlohet numri i të dënuarve në shërbimet korrektuese.

Përderisa, kriteret për lirim me kusht janë të njëjta për burra dhe gra. Kriteret për të miturit përfshijnë mundësinë e lirimit pas mbajtjes së një të tretës së dënimit, pavarësisht kohëzgjatjes së dënimit.

Të rriturit që janë të dënuar me më shumë se pesë vjet burgim duhet të mbajnë dy të tretat e dënimit, ndërsa ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm duhet të vuajnë të paktën 30 vjet për tu kualifikuar për lirim me kusht sipas Kodit Penal.

Më tej është prezantuar raporti i EULEX, ku numri i përgjithshëm i kërkesave për lirim me kusht për vitin 2021 në gjashtë institucionet e lartpërmendura, ishte 705, prej të cilave 207 kërkesa ishin aprovuar dhe 454 ishin refuzuar.

EULEX ka shqyrtuar dhe monitoruar 22 raste individuale, nga të cilat 13 raste ishin aprovuar nga Paneli i Lirimit me Kusht (PLK), ndërsa 9 të refuzuara.

Dy të burgosur kishin parashtruar kërkesë për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër kishin bërë kërkesë për herë të dytë ose më shumë.

Njëra nga të gjeturat që është cilësuar shqetësuese nga EULEX, ka të bëj me trajtimin e të miturve, ku PLK-ja nuk duket se e ka aplikuar qasjen më të favorshme që kërkohet nga Rregullat e Pekinit.

EULEX ka konstatuar se asnjëri prej të miturve nga Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan nuk i ishte aprovuar lirimi me kusht edhe pas një sërë kërkesash të parashtruara nga ana e tyre.

Nga EULEX rekomandojnë që çdo përgjigje nga PLK-ja, qoftë pozitive apo negative, duhet të përmbajë një arsyetim, i cili duhet të bazohet në vlerësim individual.

Në rastet kur ka një vendim me përgjigje pozitive nga PLK-ja, të burgosurve dhe zyrtarëve të SHKK-së dhe SHSK-së duhet tu jepen së paku 30 ditë për t’i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për lirimin që pritet të bëhet.

Përcaktimi i Rregullave të Pekinit për tu lejuar të miturve lirimin me kusht, të përfshihet në legjislacionin përkatës të Kosovës.

Vendimet e PLK-së duhet të shkruhen në gjuhën që është përdorur edhe në kërkesë, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.