Ujmani

Foto : Denis Sllovinja

Escobar sugjeron vazhdimin e moratoriumit dhe zotimin për Ujmanin

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar ka thënë që SHBA-të presin që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë moratoriumin si dhe studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit si zotimet të marrëveshjes së Uashtingtonit.

Në një konferencë për media, Escobar ka thënë se vazhdimi i moratoriumit do të i jepte hapësirë dialogut.

“Veçanërisht moratoriumi për ç’njohjet dhe njohjet, ne mendojmë se duke qëndruar në këtë pjesë të marrëveshjes, ne do t’i japim dialogut pak hapësirë për t’i zgjidhur çështje e tjera“, tha ai.

Sipas zëvendësndihmës sekretarit amerikan, liqeni i Ujmanit ka potencial për energji të ripërtrishme e cila do ta ndihmonte gjithë rajonin.

“Unë e shikoj atë si pjesë të një strategjie për zgjidhje rajonale për energjinë, ka një potencial në rritje për energji të ripërtërishme. Janë shumë gjëra të mira duke ndodhur në Ballkan tani, referuar energjisë, dhe një nga to, është se ka rritje të potencialit për energji të ripërtrishme”, tha ai.

“Dhe Ujmani do të jetë pjesë e kësaj zgjidhjeje e cila do të jetë rajonale duke i kontribuar kërkesave të BE-së, por edhe në raport me ndryshimet klimatike. Pra Ujmani është ende në mendjet tona”, theksoi ai.

Kosova dhe Serbia më katër shtator të vitit të kaluar, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të ish presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump patën nënshkruar një marrëveshje, dy nga pikat e së cilës ishin paraparë ishin edhe moratoriumi një vjeçar që Kosova të mos loboj për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare ndërsa në anën tjetër Serbia të ndaloj fushatën e çnjohjeve të shtetësisë së Kosovës, si dhe pikë tjetër e diskutuar sot edhe nga Escobar, studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit.

Sipas marrëveshjes pra, Kosova do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur.

Ndërsa, për Ujmanin, palët ishin pajtuar të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.