Vrasja e 19-vjeçarit në Prizren, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit në mungesë të prokurorit

Seanca gjyqësore ndaj Haxhi Selmanajt, të akuzuarit për vrasjen e 19-vjeçarit Elmir Kryeziu, është shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, njoftoi se seanca e njëjtë shtyhet për 09.09.2024.

19-vjeçari Elmir Kryeziu kishte mbetur i vdekur si pasojë e goditjes me thikë në zemër në janar të vitit 2020. I akuzuari Haxhi Selmanaj është ulur sërish në bankën e të akuzuarve për shkak që Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Më 26.05.2021, i akuzuari Haxhi Selmanaj nga Gjykata e Prizrenit ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 20 vjet burgim, ndërsa për veprën armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 500 euro gjobë.

Sipas dosjes së prokurorisë, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26.01.2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren ka privuar nga jeta tani të ndjerin Elmir Kryeziu, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Zeqir Kryeziu, i cili është vëllai i të ndjerit.

Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin. I njëjti kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës Elmir Kryeziu.

Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje”.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin i gjeni në këtë LINK.