Endrit Shala i del në mbrojtje ZRrE-së për vendimin prej të cilit përfitojnë 4 biznese të Blerim Devolli
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma, Endrit Shala e ka mbrojtur vendimin kundërthënës të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të caktuar tarifa nxitëse për energji solare e që do të përfitojnë katër biznese të Blerim Devollit.
Hulumtimi “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” i transmetuar në emisioni “Jeta në Kosovë” tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavatë dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavatë të tjerë. ZRrE-ja i kishte caktuar tarifat nxitëse përkundër që kishte marrë rekomandime që të vazhdohet me ankande nga disa institucionet si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Zyra e BE, Ambasada Gjermane dhe USAID-i.
Pas transmetimit të këtij hulumtimi, KALLXO.com ka dërguar pyetje te Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, dhe Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në lidhje me masat që do t’i ndërmarrin ky Komision pasi nën kompetencën e tij bie edhe monitorimi i ZRrE-së.
Deputeti Endrit Shala duke iu referuar hulumtimit në të cilën është zbardhur skema me kompanitë në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse, Shala ka thënë se nuk kanë legjitimitet të sanksionojnë se në cilin shtet një shtetas kosovar apo i huaj regjistron një biznes.
“Në të njëjtën kohë, ju njoftojmë që si komision nuk kemi për detyrë dhe nuk kemi legjitimitet që të sanksionojmë se në cilin shtet një shtetas Kosovar apo i huaj regjistron një entitet ekonomik, kjo fushë është e rregulluar me ligje përkatëse si dhe vlen të theksohet që çdo person fizik apo juridik është i lirë të vendosë vetë mbi organizimin e veprimtarive ekonomike që zotërojnë”, ka thënë Shala për KALLXO.com.
Ai madje ka thënë se Komisioni në fushë-veprimtarinë e tij nuk e ka hulumtimin, inspektimin apo mbikëqyrjen e regjistrit të bizneseve në Republikën e Kosovës.
Shala e ka interpretuar edhe rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për tarifat nxitëse.
“Me kujdes e kam lexuar rregulloren e cekur nga ana juaj dhe e njëjta saktëson që asnjë aplikim nuk mund të jetë mbi 3MË, dhe asnjë pikë e së njëjtës nuk ndërlidhet me pronar apo persona juridik dhe nuk sanksionon në mënyrë eksplicite apo implicite që një person juridik nuk mund të posedojë me shumë se një autorizim, çka është në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare”, ka shtuar Shala për KALLXO.com.
Më tej Shala ka thënë se në listën e kompanive të autorizuara ka persona me më shumë se një autorizim për energji elektrike nga BRE. Ai po ashtu ka theksuar se beson që procesi i autorizimit dhe licencimit është plotësisht transparent.
“Po ashtu, nëse e shikojmë listën e kompanive të autorizuara për kapacitete të reja gjeneruese nga ZRrE-së vërejmë që shumë persona juridik posedojnë më shumë se një autorizim për prodhuar energji elektrike nga BRE. Në të njëjtën kohë, dua të besoj që procesi i autorizimit dhe licencimit është plotësisht transparent dhe i njëjti është implementuar nga ana e ZRrE-së me plot kompetencë meqë bazuar në emisionin e transmetuar, tashmë e keni trajtuar këtë çështje edhe me ZRrE-në”, ka thënë Shala.
Hulumtimi po ashtu tregon se si një nga anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Selman Hoti ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”. Ky biznes ka qenë kontraktor dhe e ka ndërtuar parkun solar të bizneseve “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, të dyja të lidhura me Blerim Devollin, i cili është pronar i katër bizneseve që do të përfitojnë tarifa nxitëse nga vendimi i datës 27 nëntor 2019.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se rasti i Selman Hotit është hapur për hetim pas pyetjeve që i janë dërguar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës Endrit Shala ka thënë se do të presin opinioni zyrtar të Agjencisë Kundër Korrupsion e më pas do të ndërmarrin hapa në lidhje me këtë çështje.
“Pasi që të pranojmë si komision një njoftimin zyrtar që Agjencia e lartcekur ka filluar procedurë formale hetimore lidhur me pretendimin e konfliktit të interesit nga ana e z.Hoti, do të ndërmarrim hapat përkatës lidhur me këtë çështje. Çdo veprim i Komisionit në këtë fazë përbën tejkalim apo ndërhyrje në kompetenca të një Agjencie kushtetuese të ngarkuar për përcaktim të faktit që nëse një zyrtar publik me veprimin apo mosveprimin e tij ka shkaktuar konflikt interesi”, theksohet në përgjigjen e Shalës.
“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.
Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.
Dy kompanitë e Devollit, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, kanë përfituar nga skema e vitit 2016-të. Të dy kompanitë e kanë përuruar parkun solar me kapacitet prej 6 megavat në tetor të vitit 2018. Pra, këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen “Abrazen” dhe kompania “Globosos”.
Edhe prapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devolli.
Ky park solar është përuruar me kapacitet prej 6 megavatë, pra ku hyjnë dy kompanitë e Blerim Devollit, por me bazë në Maltë. Edhe anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë qenë në përurim të parkut dhe të njëjtit kanë vendosur për skemën mbështetëse në vitin 2019, prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit.
Pas transmetimit të këtij hulumtimi, KALLXO.com ka dërguar pyetje te Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nëse është dëmtuar konkurrenca me rastin e caktimit të tarifave nxitëse për 20 megavatë shtesë.
Në përgjigjen e AKK-së për KALLXO.com thuhet se do ta trajtojë në organet e veta përgjegjëse në një kohë sa më të shpejtë që është e mundur.
“Ne do t’iu mbajmë të informuar lidhur me zhvillimet që mund të pasojnë lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.
Po ashtu, ata kanë njoftuar se Autoriteti i Konkurrencës tashmë ka filluar analizën sektoriale të tregut të energjisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar ndaj emisionit “Jeta në Kosovë”, i cili të enjten ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavat dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavat të tjerë.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) reagon ndaj të pavërtetave dhe tendencave, për të dëmtuar integritetin e institucioneve të pavarura, të paraqitura në emisionin “Monopoli me Dritë të Diellit – ZRrE dhe Devolli” të emituar me 29 prill 2020, në kuadër të programit “Jeta në Kosovë” në televizionin publik – Radio Televizioni i Kosovës (RTK)”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.
Por në reagimin e ZRrE-së nuk mohohet që Blerim Devolli është pronar i 6 kompanive që përfitojnë tarifë nxitese prej taksapaguesit.
ZRrE ka shkruar se nuk është kompetencë e tyre që të identifikojnë lidhjet e e kompanive në mes të njëra tjetrës.
“Sa i përket deklarimeve se projektet të cilat kanë përfituar nga ky vendim janë në pronësi të të njëjtit person, ZRRE sqaron se nuk ka asnjë kompetencë të identifikojë lidhjet e kompanive në mes njëra tjetrës. Por vepron vetëm duke u mbështetur në kornizën ligjore e cila i trajton aplikuesit si subjekte juridike të themeluara në bazë të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe pasi plotësohen të gjitha dëshmitë përkatëse, të specifikuara me legjislacionin në fuqi, i lëshon edhe Autorizimet përkatëse”, vazhdon reagimi i ZRrE-së.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i ka miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.
Kundër vendimit të ZRrE-së që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse kanë dalë edhe atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, USAID, Ambasada gjermane, Zyra e BE-së në Kosovë e Sekretariati i Energjisë.