FOTO: Screenshot "Fish City"/Facebook.

Blerim Devolli: Politika nuk na do, na quan oligarkë

Biznesmeni nga Kosova, Blerim Devolli ka thënë se Politika nuk i do dhe se i quan oligarkë biznesmenët.

Këtë ai e ka thënë në një video të bërë nga bizenesmi nga Shqipëria Gjergj Luca, të cilën Luca e ka postuar në faqen e Facebook-ut të restaurantit “Fish City”.

Luca në video ka përmendur idenë për për ta sjellë “Fish City” edhe në Kosovë dhe pastaj të vazhdojnë edhe në Maqedoni të Veriut.

“Kemi ardhur për të fillu një projekt të madh në Kosovë, për me bo “Fish City” edhe atje dhe prej andej me vazhdu në Maqedoni”-është shprehur Luca në këtë video.

Për këtë ai ka thënë se janë marrë vesh menjëherë me njëri-tjetrin, duke e krahasuar këtë gjë mes marrëdhënieve që kanë politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke pretenduar se këto marrëdhënie nuk janë të mira.

“Pavarësisht se politika i ndan vëllezërit, puna i bashkon. I bashkon se nga puna vjen mirëqenia, progresi…nga puna vjen bashkimi. E ndërsa politika grindet e zihet, puna mbjell dashuri!”- është shkruar në postimin e publikuar nga “Fish City” në Facebook.

“Më e bukura është që u ulëm në tavolinë, bëmë 5 minuta muhabet, ramë dakord ta fillojmë nga deti, e u morrëm vesh përnjëherë. I dhamë dorën njëri-tjetrit Blerimi i madh nga Kosova me Gjergjin e vogël nga Shqipëria. Po si merremi vesh ne kaq mirë me njëri-tjetrin e si i mbyllim muhabetet ne për pesë minuta, e si jemi ne të gjithë bashkë, e si ne vetëm shtojmë vëllazërinë e dashurinë për veten, për punonjësit, për kombin tonë, por çka kanë këta të politikës more Blerim, athu janë më të mençur se ne?”-e ka pyetur tutje Luca Blerim Devollin.

Më pas Blerim Devolli është përgjigjur duke thënë “Nuk na dojnë vëlla, se na quajnë oligarkë”-është përgjigjur Devolli.

KËTU mund ta shihni videon.

Kohët e fundit ka pasur disa përplasje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

‘Mollë Sherri’ është bërë anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive e cila ishte paraparë të mbahet në qershor por që u anulua nga kryeministri Rama për shkak të situatës në veri.

E një muaj më vonë kur Rama erdhi në Kosovë për turin ballkanik për Samitin e Berlinit, Kurti nuk e priti në takim në zyrën e tij.

Edhe pas sulmit në Banjskë, kryeministri Rama ka deklaruar se veriu duhet të menaxhohet nga KFOR, një deklaratë të tillë e ka dhënë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Në reagimin e tij për këtë propozim Kurti ka theksuar se është Policia e Kosovës është ajo që përgjigjet për sigurinë në Kosovë, pastaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.

Ndërkaq, në Kryeministri Kurti ka qenë i pranishëm si spektator në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Çekisë që u mbajt më 12 tetor në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Ani pse spektator në këtë ndeshje ishte edhe kryeministri Rama, këta dy nuk u panë të ulur krahë njëri-tjetrit.

Në gusht të këtij viti, emisioni “Jeta në Kosovë” ka fituar në Gjykatë padinë  ndaj rastit Devolli pas një hetimi që hodhi dritë mbi shkeljen e rregullave antimonopol nga korporata Devolli në prodhimin e energjisë diellore.

Gjykata e Prishtinës ka anuluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave, KPM-së, me të cilin emisionit “Jeta në Kosovë” KPM i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit.”

Emisioni i realizuar nga Visar Prebreza dhe Jeta Xharra i cili kishte fituar çmimin e Bashkimit Evropian për hulumtimin më të mirë më 2020, ishte vlerësuar nga Komisioni për Media si emision me përmbajtje denigruese.

Tri vite më parë, KPM, në përbërje të Xhevat Latifi – kryetar, Granit Musliu – nënkryetar dhe anëtarët Azra Desic,Vlorë Berisha, Maja Slavic dhe Xhemajl Krasniqi, u rreshtuan në krah të Blerim Devollit kur Blerim Devolli u ankua në KPM se emisioni “Jeta në Kosovë” kishte shpërndarë gjuhë të urrejtjes dhe e kishte shkelur Kodin e Etikës. Mirëpo, në fund, Komisioni i Ankesave kishte vendosur që emisioni i BIRN-it kishte raportim të pasaktë dhe gjuhë denigruese.