Pallati i Drejtësisë

Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale merr një vendim në lidhje me një biznes të Blerim Devollit për regjistrim me “Pejë – Pec”

Shkalla e dytë  e Gjykatës Komerciale ka marrë vendim duke miratuar ankesën e biznesit ‘Business Club’ ndaj vendimit të Agjencisë për Regjstrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), për shfuqizimin e certifikatës së biznesit.

‘Business Club’ ndër të tjera, e ka pronar edhe biznesmenin pejan Blerim Devolli dhe në ankesë kishte kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të ARBK-së, për shfuqizimin e certifikatës së biznesit.

“Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit të paraqitura në kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve konstestuese dhe vlerësoi se në rastin konkret janë plotësar kushtet ligjore për të aprovuar të njëjtën pasi që paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë se do të riparohej, si dhe ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik”- thuhet ne vendimin e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.

Sipas vendimit, kjo vlen deri në marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor, sipas padisë së ushtruar nga paditësi, në këtë rast biznesi ‘Business Club’.

Fillimisht, Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale e kishte refuzuar ankesën e biznesit në fjalë, me arsyetimin se nuk ka ofruar prova të mjaftueshme, se shfuqizimi i certifikatës do t’i shkaktonte dëme të pa riparueshme në biznes.

ARBK më datë 7 gusht 2023 kishte vendosur të shfuqizojë certifikatën e biznesit të ‘Business CLub’, duke e obliguar që brenda pesë ditëve të dorëzojë certifikatën e biznesit origjinale, me arsyetimin se duke iu referuar Raportit të Komisionit, është prezantuar pasaporta e lëshuar nga autoritetet e Republikës së Malit të Zi në emër të pronarit, ku në rubrikën vendi i lindjes është shkruar ‘Pec, SRB’.

Ndaj këtij vendimi të ARBK-së, ‘Business Club’  është drejtuar te Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, të cilët më 13 shtator 2023 kishin refuzuar ankesën dhe kishin lënë në fuqi vendimin e ARBK-së.

‘Business Club’ më pas i është drejtuar Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale. Por kjo Gjykatë i kishte refuzuar ankesën.

Vendimi i Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale është marrë më 26 tetor 2023.