Kurti për fitoren në Arbitrazh: Devolli detyrohet t’ia paguajë Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar në lidhje me fitoren e Republikës së Kosovës në Arbitrazhin ndërkombëtar kundër Blerim Devollit.

“Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se përmes një padie të dorëzuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në mars të vitit 2020, Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës si pasojë e pretendimeve për shpronësimin e Dardafon.net, operatorin e rrjetit celular virtual në Kosovë, pronë kjo e Devollit.

Sipas tij, Blerim Devolli do t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës.

“Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës” – ka bërë të ditur kreu i ekzekutivit.

Sipas Kurtit, ky rast shënon fitoren e tretë të radhës së Republikës së Kosovës në arbitrazhin e investimeve, duke e renditur Kosovën si një ndër të paktat shtete me asnjë humbje në Arbitrazhin ndërkombëtar të investimeve.

“Rastet e mëparshme, Bedri Selmani v. Republika e Kosovës dhe IuteCredit v. Republika e Kosovës, gjithashtu kanë rezultuar në fitore të plota për Republikën e Kosovës. Vlera e përbashkët e pretenduar në këto tre arbitrazhe kap shumën prej 145 milionë euro” – ka vijuar kryeministri.

 

Për këtë rast ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.