Valon Syla. Foto: AGK/Facebook

Ende asnjë i arrestuar për sulm ndaj gazetarit Syla - Video

Organet e drejtësisë e forcat e rendit në raportimet e ditës së sotme njoftuan se ende nuk ka ndonjë të arrestuar për sulmin që ka ndodhur mbrëmë ndaj gazetarit Valon Syla.

Ndonëse edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e edhe Policia e Kosovës thanë se janë duke i kryer veprimet e nevojshme hetimore.

Kjo e para ka treguar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar lëndim i lehtë trupor.

“Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.

Përderisa në raportin 24-orësh policor është thënë se dje rreth orës 22:29 në rrugën ‘Ilir Durmishi’ ka ndodhur sulmi ndaj gazetarit Syla.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore” – ka thënë Policia.

Në anën tjetër, Syla në një intervistë ka thënë se personat që e sulmuan atë janë ‘islamik fanatik’.

“Tre islamik fanatik më kanë sulmu, shpejt e shpejtë ka ndodhë edhe kanë ikë” – ka thënë ai për RTV Dukagjin.

Syla është pyetur nga gazetari se pse mendon se ka ndodhur ky sulm, mirëpo kësaj pyetje nuk iu është dhënë përgjigje.

E kjo pasi forcat e rendit ndaluan gazetarin Bekim Ibishi për të vazhduar intervistën, nën pretekstin se nuk lejohet xhirimi brenda emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në anën tjetër, raportimi i Gazetës Metro tregon se gazetari Syla është sulmuar pas përfundimit të emisioni “Pressing” në Televizionin 7 ku ai kishte qenë i ftuar.

“Në mbrëmjen e sotme pas emisionit që kishte në Pressing në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar gazetari dhe drejtuesi i Gazeta Metro, Valon Syla. Ai është sulmuar nga disa persona para lokalit të quajtur ‘Image’. Syla ka pësuar lëndime të lehta trupore” – thuhet në raportimin e  Gazeta Metro.

Gazeta Metro shprehet e shqetësuar me sulmin ndaj kolegut Syla dhe akte të tilla cenojnë shprehjen e lirë.

KALLXO.com ka provuar mbrëmë të bie në kontakt me gazetarin Syla, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Sylës, derisa ka kërkuar hetime urgjente për zbardhjen e rastit.

Gazetari Syla: Jam sulmuar nga tre islamikë fanatikë