Eman Rrahmani: BQK-ja nuk ka të drejtë të përcaktojë çmimin e sigurimeve

Eman Rrahmani, deputet i LVV-së ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës nuk ka të drejtë të përcaktojë çmimin e sigurimeve.

Këto komente ai i bëri në komisionin parlamentar për buxhet, punë dhe transfere ku i pranishëm ishte edhe guvernatori Fehmi Mehmeti.

“Vendimi për rritjen e primave të sigurimeve në vitin 2019 ishte i parregullt dhe në kundërshtim me ligjin për BQK-në, nuk ishte i bazuar në analiza dhe tregues të qartë. Nuk ishte arsyetuar dhe argumentuar si duhet, për këtë vendim pati edhe protesta”, tha Rrahmani.

Ndërsa, lidhur me ngritjen e TPL-së, ai potencoi se BQK nuk ka mandat të përcaktojë prim unik të sigurimit.

“Lidhur me ngritjen e çmimit të TPL-së, BQK nuk ka mandat për përcaktoj prim unik të sigurimit, por vetëm të bëjë mbikëqyrjen e primeve të sigurimit të kalkuluar nga secila kompani e sigurimit veç e veç dhe të intervenojë në afat prej 30 ditësh nëse konstaton se ka vërejte në përllogaritjen e një primi. Si arsyetim ka qenë, norma e inflacionit nga Banka Qendore”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani tutje pyeti guvernatorin se përse u lejua që të merrej licenca ndaj kompanisë ‘Kosova e re’.

“Këtë vit i është marr licenca kompanisë së sigurimeve ‘Kosova e Re’, përse u lejua një gjendje e tillë të përsëritet deri më tash kur guvernatori aktual ka qenë zëvendës guvernator nga viti 2013 dhe problemet fillojnë pikërisht nga ky vit”, shtoi ai.

“Mosliberalizmi i tregut të sigurimeve po e dëmton konkurrencën, rritja e çmimeve e varfëroi qytetarin edhe më shumë”, theksoi tutje Rrahmani.

Deputeti i LVV-së tha se nga viti 2013 gati gjysma e kompanive të sigurimeve jane në mungesë të kapitalit të kërkuar me ligj.

“Gati gjysma e kompanive të sigurimeve që nga viti 2013 janë në mungesë të kapitalit të kërkuar me rregullativë ligjore, burim është që citim në media i guvernatorit me rastin e revokimit të licencës së Insigut”, tha Rrahmani.

Sokol Havolli, zëvendësguvernator i BQK për këtë ngritje të çmimeve tha se kjo vjen si pasojë e mosantarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër.

“Për dallimin e çmimeve është jashtë kompetencës sonë pasi kemi të bëjmë me mungesën e Kosovës në Kartonin e gjelbër, ku kemi shumë automjete të pasiguruara dhe me këtë adresim të problemit, do kemi edhe ulje të çmimeve”, tha ai.