Elshani për rekomandimin e çertifikimit të kandidatëve: Ke bërë atentat ndaj demokracisë

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani tha se Drejtori i Zyrës për regjistrim dhe certifikim të partive politike ka bërë atentat mbi demokracinë.

Ai e pati fjalën për rekomandimin që kandidatët për deputetë në listat ekzistuese të çertifikohen.

“Ti ke bërë atentat mbi demokracinë dhe sundimin e Ligjit në Kosovë. Sot, ti z.Buleshkaj ke vendosur që të veprosh mbi simpatitë e tua. Si u bo qe brenda 24 orë e ke ndryshu interpretimin për certifikim e listave. Cila është arsyeja që ke ndërtu qëndrim kaq shpejtë? A je kërcënuar, a je shantazhuar? A te është ofruar ryshfet? Unë besoj qe ti personalisht nuk e ke sjellë këtë rekomandim”, iu drejtua Elshani, Buleshkajt.Kjo është sulm mbi demokracinë e republikën. Mijëra njerëz kanë vdekur për demokracinë. Më këtë veprim po ia bënë shërbimin ma te mirë armiqve te Kosovës. Z.Buleshkaj, a jeni i vetëdijshëm për këtë çka e ke bo sot? “, vazhdoi Elshani.

Edhe Buleshkaj iu përgjigj Elshanit.

“A je ka më bënë presion me ndërru rekomandimin a? “, kërkoi sqarim Buleshkaj.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, Ylli Buleshkaj tha se është dhënë një rekomandim ndërsa u takon anëtarëve ta vendosin ose jo.

“Një gjë mundem me thanë që kjo gjuhë nuk çon peshë. Një gjuhë si e prokurorit e gjykatësit nuk çon peshë te unë. Ne si zyrë e kemi dhënë një rekomandim dhe tash është çështja e juaj.  Unë s’mundem me vendosë se kush është i pastër e i papastër. S’jam as gjykatës e as prokuror.  Nëse mendon dikush se e përdorë administratën për interesa të veta e ka gabim”, tha Buleshkaj.

Në anën tjetër edhe anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi tha se nuk pajtohet me presionin që po i bëhet zyrës.

“Nuk pajtohem me gjuhën dhe presionin mbi zyrën. Nuk është as presion, është kërcënim. Unë po them që ka raste te personalizimeve. Presioni se keni ndërru mendimin nën presionin e dikujt kjo dëshmon se ju keni informate. Nëse dikush është ka e kërcënon. I bëjë ftesë prokurorisë dhe gjykatës që të bëjë punën si i ka hije. Por jo me akuza paushallë, dikush po bën presion e dikush jo”, tha Kurteshi.

Në mbledhjen e cila po mbahet në KQZ, priten të votohen kandidatët e certifikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.