Ekzekutohet me armë 35-vjeçari në Peqin

Një 35-vjeçar është vrarë me armë zjarri këtë të hënë në fshatin Gjoçaj të Peqinit rreth orës 08:39 të mëngjesit.

Në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri në rrugë Albi Bashaliu, banues në fshatin Gjoçaj.

Ai ishte vëllai i Leonard Bashaliut i cili është i dënuar me burg, pasi në qershor të këtij viti ka vrarë Ylber Xhahysën, për një konflikt të ndodhur pesë vite më parë, pasi viktima i kishte gërvishtur makinën.

Për këtë arsye, pista kryesore në të cilën po heton policia është se ekzekutimi i 35-vjeçarit është vrasje për hakmarrje.

Vetë viktima Albi Bashaliu ishte arrestuar në vitin 2017, pasi kishte qëlluar me automatik mbi dy persona.

Zona është rrethuar dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit apo autorëve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të mundshme materiale që shërben për identifikimin e autorëve./Top Channel