Ekspozita 'Reporting House' prezanton materiale nga media botërore e vendore - DIREKT

Ekspozita “Reporting House” do të lansohet sot më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

Në konferencë për shtyp të kontribuuesve, realizatorëve, artistëve të kësaj ekspozite u tha se e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova dhe producente e ekspozitës tha se kanë punuar për një vit për t’i mbledhur materialet që janë pjesë të ekspozitës e cila do të jetë e hapur për tre muaj.

“Incizimi i parë është në vitin 1987 nga greva e minatorëve. Kjo është fillimi dhe pastaj vazhdojnë arkivat. BBC e ka reportazhin e parë dhe kronologjikisht me materiale të tjera të ekspozuara në këtë hapësirë. Kemi materiale të mediumeve irlandeze, spanjolle, japoneze, angleze dhe materiale nga mediat botërore. Pesë fotografitë kryesore janë kryesisht të fotografëve tanë, Ridvan Silvova, Eliza Hoxha dhe Hazir Reka. Përkundër faktit që 80 për qind e materialeve janë të viktimave por fotografitë janë dëshmi e rezistencës” – tregoi Xharra.

Reportazhet e medias britanike BBC-së, do të transmetohen në pesë ekrane të një hapësire të veçantë të ekspozitës, siç tha kuratori i ekspozitës, njëherësh drejtor i Galerisë “Paper” në Prishtinë, Gazmend Ejupi.

“Kjo hapësirë që na është dhënë është 1 mijë e 773 metra, por as kjo hapësirë nuk mundet me mbyll një histori. Kemi artistë të mëdhenj në këtë ekspozitë. Jemi duke e harru historinë që po mbetemi shumë mbrapa nuk mund të ecim përpara pa e ditë historinë… Secila hapësirë që është kuru e ka një referencë se si duhet me u duk muzeu i luftës” – tha Ejupi.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar reportazhin që tregon për punët e mëdha për shndërrimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në hapësirë kulturore për ekspozitën “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”, e cila do të hapet sot në orën 18:00.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, Laura Imami nga Anglia dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinj si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli nga Kosova.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Boëen, Ben Broën, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Loëe, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andreë Testa, Pal S. Refsdal, Flaka Surroi, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Ëeller, Sean Ëhelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Gazmend Avdiu, detektor.ba, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

https://kallxo.com/lajm/me-10-qershor-ne-prishtine-lansohet-ekspozita-reporting-house/