Fotografi nga ekspozita "Gjyqet" në Shkodër, Foto: VoA

Ekspozita “Gjyqet” sjell dëshmi mbi mënyrën si dënoheshin kundërshtarët politikë të regjimit

Mes vizitorëve të shumtë, në ekspozitën “Gjyqet”, hapur në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, është edhe Zenel Drangu, ish i burgosur politik i regjimit komunist, i dënuar për arratisje me 25 vite burgim, në burgun famëkeq të Spaçit.

Janë 150 fotografi, që nisin nga viti 1945 dhe ku shfaqen gjatë proceseve gjyqësore kundërshtarët politikë të regjimit të kohës, pjesa më e madhe të dënuar me pushkatim ose me varje. Fotografitë janë pjesë e arkivës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe ekspozohen për herë të parë.

Zoti Zeneli thotë se, fotot i kujtojnë gjyqin që iu bë në “Kishën e Murgeshave” të kthyer në klub rinie, pasi autoritetet jugosllave e kthyen duke e dorëzuar në duart e ish Sigurimit të Shtetit.

“E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mua. Në vitin 1973, ku na u bë gjyqi tek Kisha e Murgeshave, (kthyer në Klubin e Rinisë), me njëmijë vetë brenda dhe 3 mijë jashtë, të cilët ishin organizuar nga sigurimi i shtetit për të folur kundër nesh duke kërkuar dënim maksimal me varje në mes të qytetit të Shkodrës për të krijuar terror”, tregon ai.

Siç dëshmojnë edhe fotografitë e paraqitura në ekspozitë, gjyqet publike janë zhvilluar, në pjesën më të madhe, në kinematë e kohës, si në kinemanë Nacional, Kosova, Tomori, apo Rozafa, me një publik të gjërë brenda dhe jashtë tyre. Zeneli thotë se qëllimi i regjimit ishte terrorizimi i qytetarëve.

“Këto gjyqe janë zhvilluar nëpër kinema për t’i diskreditu, megjithëse ata nuk kishin bërë asgjë më tepër veçse kishin kërkuar liri dhe të drejtat e njeriut, si të gjithë njerëzit e tjerë në botë. Por ata kanë dashur të krijojnë idenë se të akuzuarit janë njerëz të padenjë”, tregon ai.

Ekspozita “Gjyqet” është fryt i një bashkëpunimi dhe hulumtimi të gjatë të specialistëve të muzeut “Marubi” me arkivën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Fotografitë sjellin në vëmendjen e publikut periudhën e instalimit në Shqipëri të diktaturës, me gjyqet dhe dënimet ndaj atyre që regjimi i quante “armiq të popullit”. Mes 150 fotografive shfaqen në sallën e gjyqit Musine Kokalari, Lef Nosi, At Anton Harapi e shumë të tjerë.

Drejtori i muzeut, Luçian Bedeni, thotë se ekspozita është cilësuar si “një gjyq i fotografisë së gjyqeve” dhe se ajo dëshmon edhe peshën e fotografisë.

“Më shumë sesa e përqendruar në aspektin se çfarë prodhoi diktatura, ne jemi përqendru tek imazhi, tek forca e imazhit. I gjithë kurimi i kësaj ekspozite sjell një lloj spektakli ankthi, i cili prodhohej pikërisht në këto salla të kinemave të kohës”, thotë ai.

Ekspozita “Gjyqet” përcjell nevojën e reflektimit ndaj gjyqeve publike, zhvilluar gjatë diktaturës, si gjyqi publik i zhvilluar në kinema “Kosova” ndaj 54 të akuzuarve, 17 prej të cilëve dënuar me pushkatim, gjyqi i At Anton Harapit, Lef Nosit dhe ish kryeministrit Maliq Bushati, gjyqi i zhvilluar në kinema “Rozafa” ndaj 39 të akuzuarve si anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, apo gjyqi i deputetëve të legjislaturës së parë, zhvilluar në kinema “Nacional”./VoA