VIDEO - Përballja e Policisë me të moshuarin në Shkodër që gjuajti me kallashnikov

Policia e Shtetit në Shqipëri e ka arrestuar një të moshuar nën dyshimet se ka gjuajtur me armë nga ballkoni i banesës së tij, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve në Shkodër.

83-vjeçari dyshohet se ka shtënë në drejtim të veturave të parkuara.

Sipas njoftimit, gjatë ndërhyrjes së Policisë ai ka kërcënuar me kallashnikov, për t’i vrarë pjesëtarët e Policisë.

“Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë. Ndodhur në këto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë. Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit F. H., 83 vjeç, banues në Shkodër”- thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur që në banesën e tij, Policia ka sekuestruar 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.

Tutje thuhet se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.