Flutura Kusari. Fotografia nga Flutura Kusari

Ekspertja e së drejtës së medias: Policia e Kosovës ka problem serioz me respektimin e lirisë së shprehjes

“Suspendimi i zyrtarit policor, Amir Hoxha është kufizim i lirisë së shprehjes”.

Kështu ka vlerësuar Flutura Kusari, eksperte e së drejtës së medias.

Ajo ka thënë se reagimi i tij në rrjete sociale nuk tregon anshmëri politike dhe nuk bën thirrje për gjuhë të urrejtjes.

“Edhe policët e gëzojnë të drejtën e lirisë së shprehjes. Postimi i policit nuk bie ndesh me asnjë parim etik të punës së tyre. Postimi nuk tregon anshmëri politike, nuk fyen askë, nuk përmban të pavërteta, nuk bën thirrje për dhunë dhe nuk nxitë gjuhë të urrejtjes”, ka thënë Kusari në një reagim në Facebook.

“Postimi i policit është i natyrës sindikaliste – ankesë për moskompenzim të shujtave dhe punës jashtë orarit- shprehje këto që gëzojnë mbrojtje speciale ligjore”, thuhet tutje në reagim.

Sipas saj, Policia e Kosovës ka probleme në respektimin e lirës së shprehjes. Për këtë problem, ajo ka kërkuar nga drejtori i policisë dhe ministri i Punëve të Brendshme që të merren me rastin.

“Masa disiplinore e suspendimit të policit është kufizim i paarsyeshëm i lirisë së shprehjes dhe aktivitetit sindikalist. Për më tepër, është mesazh edhe për policët tjerë në mënyrë që në të ardhmen asnjë polic tjetër të mos guxojë të ankohet për kushtet e punës. Policia e Kosovës ka problem serioz me respektimin e lirisë së shprehjes së policëve, gazetarëve, qytetarëve…”, tha ajo.

Mbrëmë, pas një postimi në Facebook, polici Amir Hoxha u suspendua. Ai kritikoi deputetët e Kuvendit për shpenzime ndërsa kërkoi pagesën e shujtave për policët.

Sindikata e Policisë së Kosovës ende pa reagim ndaj suspendimit të policit, Amir Hoxha

www.kallxo.com