Rifat Hyseni, Organizator i Samitit Digjital

Eksperti tregon se sa është Kosova e përgatitur për t'u përballur me sulme kibernetike

Në emisionin “KALLXO Përnime” po diskutohet për rrjedhjen e informacioneve dhe sulmet kibernetike.

Temë diskutimi është edhe gjendja e Kosovës se sa është e përgatitur për t’u mbrojtur nga sumet kibernetike.

Në lidhje me këtë çështje, Rifat Hyseni, ekspert i sigurisë kibernetike, ka thënë se në Kosovë institucionet publike dhe ato private ende janë në një fazë të hershme të digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve të shërbimeve.

”Nga vetë fakti që askush nuk është i sigurt, investimet, përgatitjet, parapërgatitjet për sulme kibernetike nuk janë të mjaftueshme asnjëherë për askënd. Në Kosovë si institucionet publike dhe ato private thjesht ende janë në një fazë të hershme të digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve të shërbimeve dhe gjitha ato që u ofrohen qytetarëve apo bizneseve. Prandaj është një dozë ose një rrezik paksa më i vogël sesa vendet që janë të zhvilluara” – ka thënë Hyseni.

Ai po ashtu ka krahasuar gjendjen mes Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me sulmet kibernetike dhe përgatitjen e dy shteteve për t’u mbrojtur nga këto sulme.

“Unë desha ta krahasoj pozicionin e Shqipërisë që ka avancuar shumë në mënyrë agresive pozitivisht në digjitalizimin e shërbimeve, dhe kjo në mënyrë automatike nënkupton ekspozimin e rreziqeve. Gjersa te Kosova e kemi një zhvillim pak më të vonuar dhe ekspozimi është më i vogël…” – ka thënë ai.

Së fundmi, Kosova dhe Shqipëria kanë qenë cak i sulmeve kibernetike.

Sulmet kibernetike në Shqipëri ishin bërë nga disa hakerë iranianë, ku në mesin e sajteve të hakuara ka qenë edhe sistemi TIMS i Shqipërisë.