Presidenti i SHBA-së, Joe Biden - Foto: White House

Ekipi ligjor i Presidentit Biden gjen një grumbull tjetër dokumentesh të klasifikuara

Ndihmësit e presidentit amerikan Joe Biden kanë gjetur një grumbull të ri të dhënash të klasifikuara të qeverisë në një lokacion të dytë, në një kohë të rritjes së një tensioni politik në Shtëpinë e Bardhë.

Grumbulli i parë i dokumeneteve të klasifikuara u gjet në një zyrë private në Uashington DC të cilën Biden e përdori gjatë pozitës sa ishte zëvendëspresident i SHBA-së.

Rasti është në shqyrtim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Ish-presidenti Donald Trump po përballet me një hetim penal për keqpërdorimin e dosjeve të klasifikuara.

Nuk është ende e qartë se kur dhe ku u gjet kësti shtesë i dosjeve nga ndihmësit e Biden.

Grumbulli origjinal prej rreth 10 dokumentesh u zbulua në nëntor në Qendrën Penn Biden, një institut pranë Shtëpisë së Bardhë, megjithatë njoftimi për këto gjetje u bë vetëm këtë javë.

Këto dokumente thuhet se përfshijnë memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuese në lidhje me Ukrainën, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende për dokumentet e sapozbuluara. Megjithatë, zbulimi është konfirmuar nga partneri amerikan i BBC-së, CBS dhe media të tjera amerikane.

Presidenti Biden ka deklaruar të martën se ishte “i befasuar” nga zbulimi i të dhënave dhe se po “bashkëpunon” me shqyrtimin e departamentit të drejtësisë.

Polemikat lidhur me këto dokumente konfidenciale vijnë pasi presidenti demokrat përballet me shqyrtimin e një mazhorance të re republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA.

Komiteti do t’i nis hetimet ndaj presidentit dhe familjes së tij, duke përfshirë një kërkesë që Shtëpia e Bardhë t’i dorëzojë dokumentet dhe komunikimet në lidhje me dosjet e klasifikuara.

Ligji kërkon që të gjitha të dhënat e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë ato të klasifikuara, t’i dorëzohen Arkivit Kombëtar të SHBA-së pas përfundimit të mandatit në Shtëpinë e Bardhë./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala