Edi Rama shkarkon nga detyra ministrin Arben Ahmetaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkarkuar nga detyra e zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Rindërtim, Arben Ahmetajn.

Kështu njoftoi Rama përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Falënderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”, shkruan Rama.

Ai ka thënë se në postin e zëvendëskryeministrit u emërua Belinda Balluku.

“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre”, njofton Rama.

Më tej, Rama ka bërë të ditur se Zef Mazi po ashtu është larguar nga pozita e kryenegociatorit për bisedime me Bashkimin Evropian, për t’u zëvendësuar me Majlina Dhukën.

“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit”, shkroi Rama.

Më 19 korrik, Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.