Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Edi Rama: Parlamenti nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, është lojë e ulët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas lajmit se në Kuvendin e Shqipërisë u rrëzua rezoluta që njeh gjenocidin e Srebrenicës.

Përmes rrjetit Twitter ai u shpreh se kjo është një lojë e ulët e një të shpalluri të korruptuar nga SHBA.

Rama thekson se ndjen keqardhje për ata që ndihen të lënduar nga kjo lojë e ulët.

“Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë”, ka shkruar Rama.

Ai shtoi se kjo është lojë e thyesit të embargos ndaj Sllobodan Millosheviqit.

“Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik”, shtoi më tej Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka potencuar se ata që po flasin për dështim të një rezolute mbi Srebrenicën duhet të informohen një herë se çka ishte.

“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot,pse,me ç’rast?Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët”, ka shkruar Rama.

Rama shtoi se Parlamenti nuk ka rrëzuzar asnjë rezolutë për Srebrenicën.

“Edhe një fakt për t’u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij”, ka shkruar Rama.