Edi Rama: Leksion historik çfarë ka bërë Ali Ahmeti për shqiptarët në Maqedoni të Veriut

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një shkrimi është shprehur se ajo çfarë ka bërë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është një leksion historik për të gjithë.

Ai shtoi se Ahmetit mund t’i bëhen kritika, por sipas tij, është arritje historike fakti që nesër pritet të votohet kryeministri i parë shqiptar në këtë shtet.

“Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet… Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë dhe për këdo që ka interes për artin e politikës!”- shkroi Rama.

Rama bashkangjiti edhe një foto të Ali Ahmetit dhe Talat Xhaferit duke theksuar se kjo është arritje e lidershipit të Ahmetit.

“E duke parë foton bashkëngjitur të një tjetër arritjeje historike të lidershipit të Ali Ahmetit, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët!”. Kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto”- shtoi tutje Rama.

Derisa, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti e ka quajtur ditë historike datën 28 janar, ku për herë të parë në Maqedoninë e Veriut pritet të emërohet një kryeministër shqiptar.

Edhe po të votohet, kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nuk do të ketë kompetenca të plota, por teknike apo kompetenca të cunguara.

Qeveria që drejtohej nga Dimitar Kovaçevski, më 25 janar e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, ndërsa këtë e bëri edhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, për t’u hapur rrugën procedurave për kalimin e tij në krye të Qeverisë teknike.

Ali Ahmeti: Nesër ditë historike, Maqedonia e Veriut me kryeministrin e parë shqiptar