Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti - Foto: Facebook

Ali Ahmeti: Nesër ditë historike, Maqedonia e Veriut me kryeministrin e parë shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti e ka quajtur ditë historike datën 28 janar, ku për herë të parë në Maqedoninë e Veriut do emërohet një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferi.

Ai përmes një videoje tha se po kalohen paragjykimet dhe vendin do e çojnë së bashku përpara BE-së.

“Nesër vëllezër dhe motra është ditë historike, nesër më 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, kjo ditë është historike sa për shqiptarët aq dhe maqedonasit sepse po kalojmë të gjitha paragjykimet dhe po marrim përgjegjësinë për të prirë vendin krah për krah”- u shpreh ai përmes një videoje drejtuar qytetarëve.

Sipas tij, ajo që do bëjnë nesër do definojë jetën e gjeneratave pas tyre.

“A duam t’u lëmë një Maqedoni proevropaine apo proruse, paqe apo konflikt”- shtoi tutje Ahmeti.

Më tej ai kujtoi se edhe më herët ka deklaruar se beson që gjëra të tilla mund të arrihen.

“Katër vite me parë nga ky vend ju drejtova juve me fjalët, çdo gjë e ka një fillim, fillon me një ëndërr. Ne shqiptarët kemi ëndërruar për liri, barazi e  këto nuk vijnë lehtë, kërkojnë shumë sakrificë e besim se qëllimi do arrihet. Më pyeten nëse besoj dhe u thash se do bëhet, ashtu besoja edhe për marrëveshjen e Ohrit, zyrtarizimit të gjuhës shqipe, dhe të flamurit kombëtar, besoja që do bëhemi pjesë e NATO-s dhe hapim negocitatat për antarësim në BE”- shtoi Ahmeti.

Edhe po të votohet, kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, nuk do të ketë kompetenca të plota, por teknike apo kompetenca të cunguara.

Qeveria që drejtohej nga Dimitar Kovaçevski, më 25 janar e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, ndërsa këtë e bëri edhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, për t’u hapur rrugën procedurave për kalimin e tij në krye të Qeverisë teknike.

Çfarë kompetencash do të ketë kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut?