Edi Rama kapet përsëri me mediat: Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrokë imagjinata

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po vazhdon ashpër ‘luftën’ e tij të hapur ndaj mediave, të cilat sipas tij, po përhapin panik të qytetarët dhe jo të vërteta, mbi tërmetin tragjik të 26 nëntorit.

Rama ka përmendur masat ekstreme që ka ndërmarrë Japonia ndaj mediave private në gjendje të jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore.

Duke u bazuar në këtë shembull, kryeministri shqiptar i ‘kërcënoi’ mediat që ‘mos të e detyrojnë të bëjë atë që nuk mund të imagjinohet’.

“Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!”, ka shkruar kryeministri shqiptar në rrjetin social ‘Facebook’, të hënën.

Më tej, ai ka kërkuar që informacionet të filtrohen dhe të verifikohen dhe të bëhet kujdes në ato që publikohen.

“Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot tv dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar!”, ka shkruar kryeministri shqiptar.

‘Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së zakonshme të një pjese të madhe të sferës suaj!’, përfundon komunikata e Ramës.

Kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama është shprehur vazhdimisht i pakënaqur me median, sa herë është përballur me akuza të ndryshme, pas tërmetit në Durrës.

BIRN raportoi orë më parë se një përpjekje e kryeministrit Edi Rama për të censuruar ‘Jeta osh qef’, një faqe popullore në internet, duket se ka dështuar në mënyrë spektakolare ndërsa vetë Rama shau median duke pretenduar se ajo nuk po jep frymë pozitive dhe se po nxin realitetin e shkaktuar nga tërmeti.

Rama ka shprehur edhe më herët dëshirë për të pasur mundësi të mbyllë median online sipas dëshirës, ndonëse kjo është kritikuar si një dëshirë jo në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Tentativa e Ramës për censurë dështon ndërsa kryeministri akuzon mediat se kanë “nxirë situatën”