Kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate për mediat. Foto: LSA

Edi Rama flet për rezultatet e "exit poll"-eve

Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, ka kërkuar nga komisionerët që me përgjegjësinë me të lartë qytetare dhe ligjore të numërojnë votat e zgjedhjeve të sotme.

“Votat janë në kuti, që të gjitha, populli ka folur, tani duhet të dëgjojmë popullin dhe detyra jonë, e çdo numëruesi, vëzhguesi në çdo qendër të numërimit është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe ligjore të kontribuoj për të numëruar në mënyrë korrekte votat që janë në kuti”, tha Rama në një konferencë para gazetarëve.

Kryeministri shqiptar tha që nuk duhet bazuar në sondazhe ani pse ato e tregojnë fituese partinë e tij.

“Hamendjet, sondazhet, exit-polet, pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisëse përsëri i përkasin thjeshtë dhe vetëm parashikimeve para ndeshjes. Tani është rezultati i të gjitha kutive të votimit që është rezultat i ndeshjes”, shtoi ai.

Rama kërkoi që procesi i numërimit të votave të përmbyllet pa incidente.

“Nesër dielli do të lindë përsëri, Shqipëria do të buzëqeshë, ajo që dua të theksoj, është se ne nuk duam thjeshtë rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse përsëri, por ne duam që siç ishte kjo ditë kaq e bukur, e qetë, duhet të jetë edhe vazhdimi i këtij procesi”, shtoi ai.

Top Channel ka bërë publike rezultatet e Exit Poll të realizuar nga Albanian Post për zgjedhjet e 25 prillit.

Në nivel kombëtar rezulton se PS merr 71 mandate, pra 46.9% kanë votuar për të majtët.

Të dytën, Exit Poll të realizuar nga Albanian Post e ka radhitur PD’në me 43.5 për qind. Ndërkaq, e treta radhitet LSI’ja me 6.9 për qind.

Sipas raportimit të fundit i KQZ’së, pjesëmarrja në gjithë Shqipërinë deri në orën 18:00 ka shkuar në nivelin e  45.43%.

Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ pjesëmarrja më e madhe vijon në Qarkun e Dibrës me 51.53%, më pas Qarku i Tiranës  me 51.44% , ndjekur nga Qarku i Kukësit me 48.01 %.