Edhe një veturë e thyer në Zveçan
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 6 qershor kanë pranuar një ankesë nga dy burra me shtetësi kosovare se janë sulmuar nga disa persona të panjohur në Zveçan.
Sulmi ndaj tyre është thënë se është bërë gjatë kohës sa ishin duke lëvizur me veturë.
Në raportin 24-orësh policor është thënë se përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.
Sipas këtij raporti, sulmi tregohet se ka ndodhur rreth orës 23:20 dhe se rasti i iniciuar si ‘asgjësim apo dëmtim i pasurisë’, është duke u hetuar.
Përpos kësaj veture, raporti i djeshëm policor ka treguar se në po të njëjtën datë, më 6 qershor, janë thyer po ashtu edhe dy vetura të tjera në Zveçan.
Disa prej personave të dyshuar që kryen këto veprime, e që deri më tani janë të panjohur, sipas raportimit të Policisë së Kosovës ishin edhe të maskuar.
Mjete të forta u tregua se u përdorën për të sulmuar veturat, përfshirë këtu shkopinj bejsbolli, shufra metalike, kubëza dhe gurë.
Janë me dhjetëra vetura që janë dëmtuar që nga fillimi i protestës në tri komunat veriore të Kosovës, në mesin e këtyre veturave ka edhe prej atyre që janë të Policisë së Kosovës e edhe të ekipeve të gazetarëve që kanë raportuar prej kësaj zone.
Edhe ekipeve të KALLXO.com iu janë dëmtuar veturat, në njërin rast gomat janë shpërthyer e mbi veturë janë shkruar shkrime nacionaliste, e në tjetrin rast xhamat e veturës mbetën të thyer.
Persona të dyshuar me e pa maska vazhdojnë të thyejnë veturat në Zveçan