Persona të dyshuar me e pa maska vazhdojnë të thyejnë veturat në Zveçan
Dy vetura të cilat ishin në lëvizje mbetën të thyera në dy raste të ndara këtë të martë, 6 qershor, në qytetin e Zveçanit.
Personat që kryen këto veprime deri më tani janë të panjohur. Raportimet e Policisë së Kosovës tregojnë se disa prej këtyre sulmuesve ishin edhe të maskuar.
Mjete të forta u tregua se u përdorën për të sulmuar veturat, përfshirë këtu shkopinj bejsbolli, shufra metalike, kubëza dhe gurë.
Rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 10:00, për të cilin rast një ankues me shtetësi kosovare ka thënë se dy grupe personash, prej tyre disa të maskuar, kanë kryer sulm ndaj veturës së tij.
Sulmi që i shkaktoi dëme kësaj veture u tha se u krye me mjete të forta.
Më shumë se 12 orë më vonë është kryer edhe sulmi i dytë, ndaj një veture tjetër që ishte në lëvizje.
Dy viktima, burra me shtetësi të Kosovës, raportuan në stacionin policor se rreth orës 23:30 vetura e tyre me targa vendore është sulmuar me shkopinj bejsbolli, shufra metalike, kubëza dhe gurë.
Policia ka njoftuar se si pasojë e sulmit janë shkaktuar dëme materiale në veturë dhe se nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.
Lidhur me të dyja rastet është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore tregohet se janë duke hetuar ngjarjet në fjalë.
Janë me dhjetëra vetura që janë dëmtuar që nga fillimi i protestës në tri komunat veriore të Kosovës, në mesin e këtyre veturave ka edhe prej atyre që janë të Policisë së Kosovës e edhe të ekipeve të gazetarëve që kanë raportuar prej kësaj zone.
Edhe ekipeve të KALLXO.com iu janë dëmtuar veturat, në njërin rast gomat janë shpërthyer e mbi veturë janë shkruar shkrime nacionaliste, e në tjetrin rast xhamat e veturës mbetën të thyer.