Ilustrim

E rrëmbyen dhe nën kërcënimin e armës e sulmuan fizikisht, Policia arreston dy të dyshuar në Prishtinë

Dy persona janë arrestuar në Prishtinë nga Policia e Kosovës të cilët po dyshohet se kanë rrëmbyer një burrë me ç’rast nën kërcënimin e armës e kanë sulmuar fizikisht dhe i janë marrë një veturë dhe një telefon.

Policia thotë se të dyshuarit kanë kryer tre vepra penale “Privim i kundërligjshëm nga liria”, “Lëndim trupor” dhe “Vetëgjyqësi”.

“Rasti është raportuar më datën 12 nëntor 2023, nga ankuesi i cili është rrëmbyer dhe dërguar në një lokacion, ku nën kërcënimin e armës është sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar si dhe i janë marrë një veturë dhe një telefon”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të dyshuarit A. K., 22 vjeç dhe A. P., 20 vjeç, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Lidhur me rastin janë kryer bastisje në tri lokacione, ku përveç provave që ndërlidhen me rastin, Policia ka gjetur dhe sekuestruar; një pushkë ajrore, një thikë, një telefon që i është kthyer ankuesit, një veturë që i është kthyer ankuesit.

Gjithashtu nga Policia është sekuestruar edhe automjeti i të dyshuarve i cili është i përfshirë në rast.

Aktualisht hetuesit policor, janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili është i identifikuar.