E kapi për fyti mjeken në Suharekë, e dyshuara në ndalim policor për 48 orë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë një e dyshuar pas një problemi që pati me një mjeke në QKMF në Suharekë.

Sipas njoftimit të Policisë, patrulla policore ka kontaktuar me mjeken nga e cila është kuptuar se një zonjë e panjohur e kishte dërguar për kontrolle mjekësore nënën e saj por pasi që mjekja e kishte kontrolluar pacienten  dhe i kishte caktuar  terapinë, e dyshuara, i kishte thënë mjekes se “ti nuk bëre asgjë”.

Më pas thuhet se në këto rrethana, mjekja se bashku me të dyshuarën dalin nga zyra për të shkuar tek zyra e infermierëve e  për t’u konsultuar për terapinë e pacientes të cilën ia kishte shkruar , aty e dyshuara e kap mjeken për fyti dhe e shtyn duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Pas këtij veprimi e dyshuara largohet në drejtim të panjohur. Policia menjëherë ka filluar kërkimin  e të dyshuarës.

Sektori i hetimeve i stacionit policor në  Suharekë, sot më 11.08.2023, pas një pune intensive në terren kanë arritur  ta identifikojnë të dyshuarën me inicialet A. B.,  23 vjet, e cila është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar.

Pas intervistës është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij e dyshuara ndalet në ndalim policor për 48 orë.